​Smaka pas infektimit të Osmanit me COVID-19: Kuvendi të fillojë menjëherë procedurat për zgjedhjen e presidentit

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani ka rezultuar pozitiv me Covid-19 dhe për dy javë ajo do të vazhdojë të kryejë detyrat e saj nga shtëpia. Kështu që vendi sipas saj nuk do të ketë vakum institucional.

“Në dy javët e ardhshme do të punoj nga shtëpia, duke u kujdesur që secili dokument a vendim që kërkon shqyrtim e vendimmarrje dhe që lidhet me përgjegjësitë e mia në të dy funksionet shtetërore që i ushtroj, të trajtohet në kohë. Po ashtu, një numër takimesh do t’i vazhdoj nëpërmjet platformave elektronike”, ka shkruar Osmani në profilin e saj në Facebook.

Por njohësi i Kushtetutës Riza Smaka, thotë se nëse Osmanit i përkeqësohet gjendja dhe ka nevojë për tretman mjekësor, Kuvendi duhet të emërojë dikë në vend të saj.

Por ai shton se tanimë është koha që Kuvendi të fillojë me procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri.

“Sëmundja e saj është aksidentale, por mund të pritet që ajo të mjekohet dhe atëherë mbetet çështje e Kuvendit për ta emëruar dikë  si ushtrues detyre i përkohshëm edhe do duhej menjëherë të hapen procedurat për zgjedhjen e presidentit. Edhe ashtu është në afatin e skadencës. Edhe nuk do të duhej kurrsesi që të arrihet të bëhet një marrëveshje politike paraprake për personin e caktuar, se do të ishte në kundërshtim direkt me nenin 70 të Kushtetutës. Do duhej të zgjidhej personi që do të merrte vota, që do të merrte mbështetje në bazë të votave të lirshme e jo të imponuara”, thotë ai.

Mirëpo, Smaka thotë se para se të fillojnë procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri, duhet të ndryshohet neni 86 i Kushtetutës, respektivisht paragrafi i 6-të i tij.

“Do duhej që brenda muajt të hapet procedura për zgjedhjen e presidentit dhe do të ishte fort mirë që z.Hoti që të hapte një amendament dhe t’ia jepte Kuvendit dhe të bënte ndryshimin e nenit 86, se paragrafi 6 i këtij neni e stimulon dhe e favorizon shkeljen e Kushtetutës për shkak se në raundin e tretë, faktikisht del ajo që duhet zgjidhet medoemos kandidati përndryshe do të shpërbëhej Kuvendi. E shumica e deputetëve nuk do ta kishin rrezikuar postin e deputetit për shkaqe të parimeve të caktuar, por vetëm për shkak se po u shpërndaka Kuvendi”, thotë ai për kp.

Kushtetuta e vendit, ka paraparë që nëse Presidenti i Republikës së Kosovës përkohësisht nuk është i aftë për të përmbushur përgjegjësitë e tij/saj, ajo/ai mund t’ia kalojë vullnetarisht detyrat e postit të tij/saj, Kryetarit të Kuvendit, i cili do të jetë ushtrues i detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës.

Por aty nuk është definuar nëse edhe ushtruesi i detyrës nuk është i aftë për shkaqe shëndetësore të përmbush përgjegjësitë e tij, apo ta saj.

“Neni 90 [Mungesa e Përkohshme e Presidentit] 1. Në rast se Presidenti i Republikës së Kosovës përkohësisht nuk është i aftë për të përmbushur përgjegjësitë e tij/saj, ajo/ai mund t’ia kalojë vullnetarisht detyrat e postit të tij/saj, Kryetarit të Kuvendit, i cili do të jetë ushtrues i detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës. Urdhri i Presidentit për kalimin e përgjegjësive duhet të përmbajë veçanërisht arsyet dhe kohëzgjatjen e kalimit të përgjegjësive, nëse ka njohuri për to. Presidenti i Republikës së Kosovës do të rifillojë ushtrimin e përgjegjësive kur të jetë në gjendje t’i ushtrojë përgjegjësitë, dhe kështu Kryetarit të Kuvendit i pushon posti i ushtruesit të detyrës së Presidentit”, thuhet në nenin 90 të Kushtetutës së Kosovës.Telegrafi