Digiqole ad

Likaj ia aprovon kërkesën Zemajt për rritjen e numrit të studentëve në Mjekësi

 Likaj ia aprovon kërkesën Zemajt për rritjen e numrit të studentëve në Mjekësi

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj e ka përkrahur propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj për rritjen e numrit të studentëve në Fakultetin e Mjekësisë për vitin akademik 2019/20.

Likaj vendimin e ka marrë sot dhe në të ka shkruar që të rritet numri për 50 studentë në Mjekësi të Përgjithshme.

Tutje është thënë se vendimi ka hyrë në fuqi me nënshkrimin e tij.

Si arsyetim Likaj ka thënë se këtë vendim e ka marrë pas kërkesës së ministrit, Armend Zemaj, Komisionit për Arsim dhe Shkencë, derisa ka shtuar se është konsultuar me Agjencinë e Akreditimit dhe Këshillin Shtetëror të Cilësisë për vendimin e tij.

Kujtojmë se Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka kërkuar që të rritet numri i studentëve në Fakultetin e Mjekësisë për vitin akademik 2020/2021, për arsye të numrit të vogël të mjekëve në Kosovë.

Zemaj kishte bërë të ditur se kërkesën e ka drejtuar tek ministri i Arsimit, Ramë Likaj, tek menaxhmenti i UP-së dhe tek dekanja e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka- Kërliu.

Por, as dekanja e Fakultetit të Mjekësisë dhe as rektori i UP-së, Naser Sahiti nuk janë pajtuar me kërkesën e ministrit, Armend Zemaj për rritjen e numrit të studentëve.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Këshillin Shtetëror të Cilësisë për të pyetur lidhur me konsultimin që Ministri thotë se e ka bërë me ta dhe po pret përgjigje.

Edhe vitin e kaluar, ish-ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi kishte obliguar Universitetin e Prishtinës që të rris numrin e studentëve në Fakultetin e Mjekësisë edhe pse Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC) e kishte kundërshtuar një gjë të tillë. Kujtojmë se KShC ëshë organ që vendos për rritje të numrit të studenteve në bazë të rekomandimeve të ekspertëve ndërkombëtarë.

Digiqole ad

Të ngjashme