Rrëfime të mizorisë nga tetë masakra gjatë luftës në Kosovë

Të mbijetuarit dhe dëshmitarët e masakrave të Poklekut, Studimes, Rezallës, Izbicës, Krushës së Vogël, Gjakovës, Abrisë dhe Tërnjes rrëfehen sot në dokumentarin që transmetohet në RTV Dukagjini nga ora 22 e 30.

Gjatë reportazhit flasin edhe dëshmitarët e masakrave dhe vrasjeve në grupe të shqiptarëve në vitet 1998 dhe 1999.

Leutrim Caraku është njëri nga gjashtë të mbijetuarit e masakrës së fshatit Poklekut të Drenasit,  e cila ka ndodhur më 17 prill të vitit 1999. Aty forcat serbe nuk u mjaftuan vetëm me vrasjen e viktimave por u kthyen edhe dy herë për t’i djegur dhe zhdukur gjurmët e krimit.

“Unë kam mbijetuar në masakrën e Poklekut ku u vranë dhe u dogjën 54 persona, 24 nga ta nën moshën 18 vjeçare”,thekson Caraku.

Fadil Muçolli dëshmitari tjetër rrëfen se eshtrat e mbetur aty ishin larguar nga ta pasi forcat serbe edhe pasi i kishin djegur dy herë kishin tentuar t’i marrin duke i bërë gati ne dy qoshet e dhomës ku u kryer krimi.

“Më i madhi asht ka qenë sa pako e cigares”, tha Muçolli.

Një krim tjetër i ekzekutimit me armë nga afër kryesisht në gjoks dhe kokë  kishte ndodhur natën e 2 majit të vitit 1999 në fshatin Studime të Vushtrrisë. Atë natë u vranë 92 persona nga aksioni i policisë dhe ushtrisë e forcave paramilitare që zgjati rreth 2 orë.

Shukri Gërxhaliu ka qenë dëshmitar i masakrës dhe 3 herë ka dëshmuar në gjykatën e Hagës si dëshmitar. Gërxhaliu ka dëshmuar edhe në një proces tjetër ne Mitrovicë por askush ende nuk është dënuar.

“E kam pa nga afër vrasjen e një të riu nga një pjesëtar i forcave serbe”, thekson Gërxhaliu.

Dëshmitari tjetër Idriz Popova thotë se ka dëshirë të flasë e të dëshmoj pasi që e ndjen obligim ndaj gjakut që është derdhur në Kosovë.

“Edhe pse kanë kaluar vitet ende jam në gjendje me përshkru qysh ka ndodh ngjarja dhe me tregu se secila viktimë nga 92 atë nate ku i ka pas plumbat dhe qysh ka qenë i ekzekutuar”, tha Popova.

Ky nuk ka qenë krimi i vetëm i forcave Serbe në fshatin Studime të Vushtrrisë. Aty edhe 3 herë të tjera serbët kishin kryer masakra e krime tjera.

Masakra në fshatin Abri të Epërme të Drenasit ka ndodhur më 26 shtator të vitit 1998, aty u vranë dhe masakruan 23 anëtarë të familjes Deliu dhe 9 anëtarë të familjes Mulliqi.

Imer Deliu thotë se krimi i ndodhur në Abri të Epërme u injorua nga sistemet e drejtësisë. Sipas Deliut as Tribunali i Hagës nuk është marrë me krimet që kanë ndodhur ne vitin 1998, por vetëm me disa krime të vitit 1999.

“Rreth 30 orë pas sulmit e kam gjetur të gjallë vajzën 6 javëshe nën trupin e gruas sime të vdekur”, tha Deliu.

Ismet Rukolli, është i mbijetuar në masakrën e Rezallës ku u vranë 98 persona ndërsa vetëm brenda një dite 5 prill 1999 u vranë rreth 80 persona.

“Unë kam shpëtuar sepse nuk me kanë kapur plumbat e mitralozit pastaj nga afër kam shpëtuar sepse kur ka ardhur tek unë e ka ndërruar karikatorin e kallashit dhe më ka tejkaluar”, thekson Rukolli.

Me 28 mars të viti 1999 në fshatin Izbicë të Skenderajt u vranë dhe masakruan 147 qytetarë shqiptarë, duke mos kursyer as gratë e fëmijët në djep.

Milazim Thaçi  është i mbijetuari i kësaj mizorie. Ai së bashku me 32 burra shqiptar ishin ndarë nga pjesa tjetër e turmës për t’i dërguar drejt ekzekutimit në një pjesë të malit aty afër, nga ai grup kishin shpëtuar vetëm 3 burra.

“Kur na ka rreshtuar pushkatim mua dhe 2 persona të tjerë nuk ka kanë kapur plumbat”, tha Thaçi.

Bekim Gashi nga fshati Tërrnje i komunës së Suharekës kishte parë nga afër vrasjen e 46 personave përfshirë nënën dhe katër motrat e tij të cilat ende vazhdojnë të mbeten të zhdukura.

“Nuk kam lanë vend pa i kërkuar dhe vetëm ata që kanë hallin tim e dinë sa e vështirë është kjo pritje që ta marrin ndonjë lajm dhe të dimë të paktën ku e kanë varrin”, tha Gashi.

Një lajm për bashkëshortin e saj e pret edhe Vlora Ymeraga  nga Gjakova.

Ndërkaq Mehmet Krasniqi i cili  i kishte mbijetuar masakrës së Krushës rrëfen tmerrin e natës së 25 marsit të vitit 1999 ku forcat serbe vranë 113 burra të fshatit.

Gjithashtu ndiqni edhe intervistën me Bekim Blakaj  nga  Fondi për të Drejtën Humanitare i cili numëron ngecjet dhe dështimet në zbardhjen e krimeve të luftës.Kallxo