Hoxhaj: Nuk përkrahim kandidat për president që thellon përçarjen dhe izolon Kosovën

Ushtruesi i detyrës së Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se ky subjekt politik nuk përkrahë kandidat për president që thellon përçarjen dhe izolon Kosovën.

“Partia Demokratike e Kosovës nuk shantazhohet dhe as nuk do të lejojë që dikush ta marr peng shtetin e Kosovës. Jemi të gatshëm që të ulemi dhe të bisedojmë me çdo parti politike paralamentare që ta tejkalojmë krizën institucionale në vend dhe ta zgjedhim një president dinjitoz që i shërben unitetit të brendshëm dhe thellon partneritetin me aleatët tonë. Por, PDK nuk do të bëhet palë e një procesi që do të prodhonte një president që thellon përçarjen e brendshme dhe e izolon Kosovën jashtë”.

“Republika jonë është mbi interesat politike dhe egot personale. Kushdo që kërkon votat e deputetëve të PDK-së në Kuvendin e Kosovës, duhet ta kuptojë njëherë e përgjithmonë, që në atë propozim e ka brenda edhe kandidatin e PDK-së!”

“Barrikadimi pas propozimeve individuale, ende pa filluar një diskutim politik ndërmjet partive parlamentare, është i dëmshëm dhe nuk e ndihmon tejkalimin e krizës por vetëm thellimin e saj”, ka shkruar Hoxhaj në rrjetin social Facebook.