Ramush Haradinaj i kërkon Hotit të hiqet “ora policore” gjatë kohës sa mërgimtarët janë në Kosovë

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kërkuar nga institucionet e vendit që të hiqet ndalesa e qarkullit deri pas festave, për arsye që të mundësohet qarkullimi i lirë i bashkatdhetarëve që jetojnë jashtë vendit e që vijnë në Kosovë për këto festa.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj thotë se bashkatdhetarët po hasin vështirësi që të arrijnë në shtëpitë e tyre.

“Festat e fundvitit e gjallërojnë jetën në Kosovë, familjet tona dhe po ashtu ekonominë e vendit. Zakonshëm po ndodh edhe këtë vit, pavarësisht rrethanave pandemike, sikurse edhe në rrethanat e vështira historike për shqiptarët, mijëra bashkatdhetarë ia kanë mësyrë Kosovës.

Apeloj tek institucionet e vendit, që të hiqet ndalesa e qarkullimit, të paktën deri pas festave. Kjo do mundësonte qarkullimin e lirë të motrave e vëllezërve tonë që jetojnë jashtë vendit, e që po hasin në vështirësi të arrijnë në shtëpitë e tyre.

Mirë se vini bashkatdhetarë! Atdheu ju mirëpret!”, ka shkruar Haradinaj.