Osmani pa homazhe e pa fjalë për Rugovën në 31 vjetorin e LDK-së

Lidhja Demokratike e Kosovës të mërkurën shënoi 31 vjetorin e themelimit të partisë, të cilën e udhëhoqi Ibrahim Rugova, derisa ndërroi jetë më 2006.

Me këtë rast ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani, i ndau “Urdhrin e Pavarësisë” familjes së Ismet Rracit, themeluesit dhe drejtuesit të LDK-së në komunën e Klinës.

Ajo tha se Rraci ishte një patriot i devotshëm i vendit, njofton Klan Kosova.

Megjithatë, ndonëse çdo herë thirret në frymën rugoviane, është po ish-zyrtarja e këtij subjekti, Vjosa Osmani, ajo që në këtë përvjetor, qëndroi indiferente ndaj veprës së Ibrahim Rugovës.

Osmani edhe pse riktheu në dokumentet zyrtare edhe stemën e ish-presidentit Ibrahim Rugova, nuk bëri as dhe një reagim për të, lidhur me rrugëtimin e tij si lider historik i LDK-së.

Po ashtu me të marrë detyrën e ushtrueses së Detyrës së Presidentes, ajo nisi këtë rrugëtim me homazhe tek varri i Presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova.

Por, tashmë duket se u zhvesh nga tërë historia që e lidhte me LDK-në, pasi në këtë përvjetor, aty nuk u pa siç ndodhte ndër vite – madje as e vetme pas acarimeve që pati me parinë e subjektit.

Klan Kosova dje ka kontaktuar Zyrën e Presidencës për të mësuar nëse ushtruesja në Detyrë, ka të paraparë në agjendën e saj ndonjë aktivitet që ndërlidhet me veprimtarinë e liderit historik të LDK-së Ibrahim Rugova.

”Në takime jemi”, ishte përgjigjia e tyre, duke iu referuar konsultimeve të Osmanit me përfaqësuesit politikë pas njoftimit të Gjykatës Kushtetuese.

Ndërkohë nga Zyra e Presidencës u kërkua edhe këtë të enjte ndonjë arsye pse ushtruesja në Detyrë e Presidentes, Vjosa Osmani, nuk u pa dje në asnjë aktivitet përfshirë dhe homazhet tek varri i Presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, por nuk ka pranuar përgjigje.

Këto zhvillime, lënë të kuptohet se ish-zyrtarja e LDK-së Vjosa Osmani, është tërhequr tërësisht nga LDK, themeltar i së cilës ishte Ibrahim Rugova, në të cilën frymë thirrej çdo herë në paraqitjet e saj.

Ndryshe, pavarësisht acarimeve, dhe pa Vjosa Osmanin këtë vit, dje paria e Lidhjes Demokratike të Kosovës u panë të nderonin veprimtarinë e të ndjerit, Ibrahim Rugova në 31 vjetorin e themelimit të partisë.KlanKosova

Aty u pa kreu aktual i LDK-së, Isa Mustafa, kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, nënkryetari Agim Veliu dhe anëtarë të tjerë të kryesisë së këtij subjekti.