Mospajtimet brenda VV- së për koalicionin me PDK-në?! – Analistët paralajmërojnë përplasje brenda partisë së Kurtit

Zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, kanë shprehur qëndrime të kundërta për mundësinë e një koalicioni me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), shkruan GazetaBlic.

Fillimisht ishte nënkryetari i VV-së Glauk Konjufca i cili nuk e përjashtoi mundësinë e koalicionin me PDK-në.

Por së fundi kjo është kundërshtuar nga anëtarja e kryesisë së VV-së Albulena Haxhiu, e cila për Gazeta Blic ka thënë se as nuk e kanë në plan një koalicion me PDK-në, LDK-në dhe partitë tjera.

“Koalicionet me partitë tjera, as nuk i kemi diskutuar dhe as nuk e kemi në plan ta hapim atë diskutim. Për ne subjektet sikur PDK, LDK e të tjera janë të njëjta. Ato janë përgjegjëse për kapjen e shtetit dhe degradimin e vendit dhe ne nuk kemi interes të bashkëpunojmë me të njëjtat. Të vetmin interes që e kemi shprehur është bashkëpunimi me Vjosa Osmanin, për çka ende nuk kemi vendosur se cila do të jetë forma e bashkëpunimit. Besoj sqarohet dhe vendoset së shpejti”, është shprehur Haxhiu.

Kësisoj, analistët politikë në vend vlerësojnë se nga këto kundërshtime mund të ketë përplasje brenda partisë së Albin Kurtit.

Analisti i çështjeve politike në vend, Arben Ahmeti, në një prononcim për Gazeta Blic thotë se Vetëvendosje nuk duhet të përjashtonte mundësinë e koalicionit me PDK-në.

“Natyrisht që një koalicion i mundshëm ndërmjet Vetëvendosjes dhe Partisë Demokratike të Kosovës do të zgjoj debat te të gjitha partitë, debati brenda Vetëvendosjes është i natyrshëm , mirëpo unë mendoj që VV-ja taktikisht nuk do të duhet ta përjashtonte koalicionin me PDK-në, mirëpo për të mbajtur konsistencë mbi atë që e ka ndërtuar prej kur është themeluar natyrisht që duhet assesi të mos jepje koalicion me PDK-në”, thotë ai për Gazeta Blic.

Më tej, Ahmeti thotë se LVV-ja mund të jetë fituese në zgjedhjen që pritët të mbahen në fillim të vitit 2021.

“Shumë herët me fol për rezultatin, natyrisht që ka një frymë pro Vetëvendosjes, por tash se si do të definohet dhe si do të jetë pozicioni i partive varet krejt nga oferta që kanë, prej kandidatëve, prej mënyrës si bëjnë fushatë. Ajo çka unë pres është që zgjedhjet si zakonisht në Kosovë të krijojnë një energji pozitive dhe të zgjidhin ngërçin e krijimit të institucioneve për zgjidhjen e çështjes së presidentit”, thotë Ahmeti.Gazeta Blic