Digiqole ad

Blerim Kuçi: Fundi i një viti të vështirë, por edhe të sukseshëm në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit

 Blerim Kuçi: Fundi i një viti të vështirë, por edhe të sukseshëm në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit

Fundi i një viti të vështirë, por edhe të sukseshëm në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit

Të nderuar qytetarë,

Udhëheqja e Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit ka filluar më 6 qershor 2020. Kjo ministri është një bashkim i ish-ministrive të Zhvillimit Ekonomik, Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministrinë e Ndërmarrësisë dhe Inovacionit.

Fushëveprimi ka qenë mjaft i gjerë, rrjedhimisht edhe aktivitetet kanë qenë të shumta, bashkë edhe me barrën e pandemisë COVID-19. Mirëpo, po tentoj të ndajë disa nga punët më kapitale që kemi bërë gjatë këtyre gjashtë muajve.

Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit ka bërë ekzekutimin e të gjitha masave për të ndihmuar punëtorët dhe kompanitë nga efekti i COVID-19. Në total këtë vit janë ekzekutuar mbi 133 milionë euro.

Në planin legjislativ kemi punuar me disa prej projekt-ligje që për një kohë të gjatë kanë mbetur në sirtar. Dua të përmend se drejt

Kuvendit kemi dërguar:

  1. Projektligji për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara në transaksionet elektronike
  2. Projektligji për masat për uljen e kostos së shtrirjes së rrjeteve të komunikimeve elektronike të shpejtësisë së lartë
  3. Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L061 për shitjen e banesave për të cilat ekziston e drejta banesore.

Po përmend këtu edhe Projektligjin për Odën e Arkitektëve dhe Odën e Inxhinierëve të Kosovës, që është në procedurat përfundimtare, edhepse në vitin 2018 i ka kaluar të gjitha procedurat. Kjo është edhe kosto e ndërrimit të shpeshtë të legjislaturave.

Pasi janë dokumente të nivelit pothuajse të njëjtë, që kërkojnë miratim në Kuvendin e Kosovës, Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit ka përfunduar Planin Hapësinor të Bjeshkëve të Nemura, në bashkëpunim me gjithë komunat dhe komunitetin e asaj zone. Edhe ky plan është duke kaluar procedurat e fundit si deklaratën e vlerësimit financiar.

Në të njëjtën linjë është edhe Harta Zonale e Kosovës, edhe ai dokument shumë i rëndësishëm që ka kaluar nga ministria jonë drejt Qeverisë.

Nëse shkojmë nëpër sektore, atëherë vërejmë se kemi shtyrë përpara shumë procese.

Një nga më të rëndësishmit është Energjia. Të koordinuar me nevojat tona, kapacitetin prodhues dhe të gjitha pajtimet ndërkombëtare ne kemi mbajtur stabilitetin energjetik, si parakusht për zhvillim ekonomik.

Ngjarja më e rëndësishme në këtë sektor ka qenë fillimi i zbatimit të Marrëveshjes mes KOSTT-it dhe ENTSO-I, duke i vendosur kufinjtë energjetik të Kosovës.

Duhet ta pranoj që e gjithë faza testuese ka shkuar më mirë se sa e kemi pritur. E gjitha kjo ka ndodhur nga angazhimi i të gjithë akterëve të energjisë në Kosovë, mirëpo edhe nga gatishmëria e lartë për të na ndihmuar nga Shqipëria dhe Maqedonia.

Tashmë ne jemi duke punuar edhe në rishikimin e Strategjisë së Energjisë, e cila do të jetë fakt i kryer në gjysmën e parë të vitit 2021.

Në të njëjtën periudhë, në rrafshin e energjisë së ripërtritshme kemi trasuar rrugën që të lansohet Ankandi për Energji të Ripërtritshme.

Ne kuadër të Zbatimit të masave të Efiçiencës së Energjisë në objektet publike janë duke u zbatuar masat e efiçiencës së energjisë në 27 objekte shkollore

Me ndërmarrjet publike për këta muaj të qeverisjes ka pasur mjaft probleme, pasi likuiditeti i tyre është vënë disa herë pozicion jo të mirë.

Kemi arritur që të ndihmojmë Telekomin e Kosovës që të dalë nga një krizë shumë e madhe dhe e kemi subvencionuar për të implementuar në tërësi Kodin Shtetëror +383.

E gjitha kjo ka ndodhur jashtë ndihmave që janë shpërndarë me masat të ndikuara nga COVID-19.

Ndërmarrja “Trepça” është ndihmuar për të dalë nga kriza në momentet e fundit me 1.1 milionë euro.

Jemi siguruar që shumë nga ndërmarrjet të drejtojnë investimet në pjesët emergjente, duke i koordinuar edhe me projektet tjera kapitale nga donatorët e huaj.

Tek Teknologjia Informatike kemi Projektin e Krijimit të Qendrës për Ekselencë Dixhitale në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit (ITP) në Prizren, që është në fazat e fundit të implementimit.

Projekti Shtrirja e Infrastrukturës brezgjerë në zona të pambuluara përmes programit KODE, është realizuar me sukses të plotë.

MEA është në proces të themelimit të Rrjetit Kombëtar të Kosovës për Hulumtim dhe Edukim (NREN), pasi jemi pranuar në Rrjetin Evropian të avancuar hulumtues dhe arsimor që lidh më shumë se 50 milionë përdorues në 10,000 institucione në Evropë.

Më 2 Nëntor 2020 në kuadër të Samitit Dixhital të Ballkanit Perëndimor janë nënshkruar dy memorandume në mes të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor: Memorandum i Mirëkuptimit për Udhërrëfyesin e 5G për Transformimin Dixhital në Rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe Memorandumi për Interoperabilitetin dhe Shërbimet e Besimit Rajonal në Rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Tek sektori inovacionit, ka përfunduar pjesa e 3-të e projektit” Renovimi i Qendrës së Inovacionit dhe Ndërmarrësi në UP”. Ndërsa si tërësi ky projekt pritet të përfundojë në dhjetor 2020.

Tashmë janë edhe 12 komuna të Kosovës që kanë përfituar pajisje të teknologjisë për shkollat e mesme.

Së fundi është përkrahur Parku i Inovacionit dhe Teknologjisë në Prizren me 2 milionë euro, si projekt i përbashkët me Qeverinë Gjermane. Edhe vitin e ardhshëm do të ndahen edhe 2 milionë euro.

Tek sektori i minierave, në kuadër të zhvillimit të politikave minerare, ka filluar puna për hartimin e Programit të Zbatimit të Strategjisë Minerare për periudhën 2021-2023.

Janë përgatitur termat teknike të referencës dhe janë hapur procedurat e tenderimit për realizimin e projektit Funksionalizimi i Laboratorit të Shërbimit Gjeologjik të Kosovës.

Lajm i mirë është se po përgatitet drafti lidhur me projektin për vlerësimin e potencialit mineralmbajtës për krom, bakër, platin dhe perspektiva e tyre në zonën ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.

Në fushën e Ujërave kemi filluar nismën që Autoriteti Rajonal i Pellgjeve Lumore të Kosovës, nga niveli i departamentit, të ngritet në nivel agjencie.

Është finalizuar Raporti për vlerësimin paraprak të rrezikut nga vërshimet në pellgjet lumore të Kosovës si dhe do të krijohet ueb faqja e Sistemit informativ Ujor lidhur me projektin e hartimit të Kadastrit të ujërave për ARPL.

Është vazhduar rregullisht me aktivitetet në pastrimin, renovimin dhe rregullimin e segmenteve potenciale të rrezikuara nga vërshimet në shtretërit e lumenjëve në pellgjet lumore të Kosovës.

Kemi punuar gjatë dhe është bërë ndryshimi i disa prej nënkomponentave të projektit FLOWS, me Bankën Botërore, si projekti më kapital për të bërë Anamoravën me ujë të pijshëm.

Tek ujërat kemi kaluar një periudhë të gjatë debati për hidrocentralet, temë për të cilën kam kërkuar me ngulm nga zyrtarët për të respektuar çdo dispozitë ligjore dhe kam hapur dokumentet për shqyrtim publik për deputetët e Komisionit Hetimor për Hidrocentrale. Në këtë komision gjithashtu për rreth 6 orë kam sqaruar gjithë situatën sipas spektrit dhe informacionit tim.

Tek fusha e mjedisit, në kuadër të projektit për të dhënat mjedisore, që po zbatohet nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit-MCC, është përgatitur inventari i burimeve të emetimeve në ajër dhe modelimi i shpërndarjes së ndotësve të ajrit për gjithë territorin e Kosovës.

Gjithashtu, me projektin “Avancimi dhe automatizimi i rrjetit ekzistues meteorologjik”, do të instalohen 5 stacione meteorologjike për matje automatike dhe transfer te të dhënave në kohë reale.

Janë miratuar dy udhëzime administrative, siç janë ai për Menaxhimin e Mbeturinave të cilat përmbajnë Azbest si dhe Udhëzimi për Përcaktimin e Kërkesave Teknike dhe kërkesave tjera për Qeset e Plastikës.

Nga Qeveria e Japonisë është bërë furnizimi me 15 kamionë të rinj për mbledhjen e mbeturinave, teksa u vënë në rregull deponia transfer në Gjakovë, që ka pasur një gjendje shumë të rëndë për vite me radhë.

Dua të ndajë edhe përfundimin e impiantit për ndarjen dhe riciklimin e mbeturinave komunale në Mitrovicë, një projekt me vlerë prej 3 milionë euro.

Tek sektori i planifikimit, ndërtimit dhe banimit përveç dokumenteve për Parkun Kombëtar dhe Hartat Zonale, ashtu edhe për Projektligjin për Odat e Arkitektëve dhe Inxhinierëve, apo edhe Projektligjit për shitjen e banesave për të cilat ekziston e drejta banesore, kemi marrë vendim për shtyerje të aplikimit për Legalizim të Ndërtimeve Pa Leje edhe për 12 muaj.
Ky departament ka kryer punë të madhe në shqyrtimin e hartave zonale të Komunave të Kosovës.

Duke prezentuar këto punë në kushte pandemie, që ka marrë shumë jetë të qytetarëve tanë më të dashur, e një vit me pasoja të rënda ekonomike në sektorin privat, për punëtorët e shumtë që kanë humbur vendet e punës, duke u solidarizuar me ta dhe duke u lutur e dhënë kontributin që ky vit mos të përsëritet kurrë më,

Uroj me zemër që viti 2021 të jetë sa më i lehtë dhe më i mirë për ata që pësuan gjatë 2020-s, por edhe plot sukses për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Urime!

Digiqole ad

Të ngjashme