Del video e Mimoza Kusarit, kur e vlerësonte lartë Hashim Thaçin dhe e kritikonte Albin Kurtin

Çka do të thoshte Mimoza Kusari – Lila po t’i kërkohej të përshkruante Albin Kurtin dhe Hashim Thaçin? Kryetarja e Alternativës që ka shërbyer në shumë funksione pushteti në fakt kishte bërë përshkrime të tilla në vitin 2017.

Në një video që i ka dërguar një lexues Periskopit del se ajo ka bërë deklarime mjaft pozitive për ish presidentin Hashim Thaçi dhe deklarime mjaft negative për Albin Kurtin, kreun e Vetëvendosjes.

Kusari-Lila ishte pjesë e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e fundit, dhe në mandatin si deputete ishte ndër zërat më të ashpër në Kuvend që kritikonte kundërshtarët e ish kryeministrit Kurti.

Por, më 2017 ajo kishte pasur qëndrime mjaft interesante dhe që çudisin marrë parasysh qëndrimet aktuale, përcjell Periskopi.

Kusari-Lila madje edhe vlerësonte personalisht Thaçin duke thënë se nuk kishte pasur asnjë përvojë të keqe me të – e se ai si karakteristikë e kishte sjelljen e kulturuar me bashkëpunëtorët e tij.

Po ashtu, Kusari Lila e vlerëson Thaçin për rolin në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si dhe për angazhimin në shpalljen e Kosovës shtet të pavarur.

Ndërkohë, Kusari-Lila që ka mbrojtur Kurtin nga akuzat e LDK-së për sjellje anti-amerikane dhe dëmtuese për vendin, më 2017 e bënte edhe vetë një kritikë të tillë.

“Konsideroj që z.Kurti ka shku pak larg me qasjen e tij ndaj Bashkësisë Ndërkombëtare në Kosovë,” dëgjohet duke thënë ajo.

Po ashtu, ajo kundërshton Kurtin duke e quajtur qasjen e tij në lidhje me procese të ndryshme si jorealiste. Veç kësaj ajo ka kontestuar edhe metodat që ka aplikuar Vetëvendosje për të ardhur në pushtet.