Piloti gjerman krijon shiringë gjigante në qiell

Piloti gjerman, Samy Kramer, ka krijuar një shiringë gjigante në qiell, duke fluturuar 200 kilometra, për t’ua kujtuar njerëzve rreth fillimit të fushatës së vaksinimit në Evropë.

Piloti 20-vjeçar hartoi rrugën që do duhej të ndiqte në një GPS para se të ngrihej në qiell afër liqenit Constance në Gjermaninë Jugore.

“Shiringa” në qiell u shfaq në faqen e internetit flightradar24.

“Ka ende relativisht shumë njerëz që kundërshtojnë vaksinimin dhe veprimi im mund të jetë një kujtesë për ta që të mendojnë rreth kësaj çështjeje”, ka deklaruar Kramer për Reuters.

“Ndoshta ishte edhe një shenjë gëzimi, sepse indusktria e aviacionit është goditur mjaft rëndë nga pandemia”, shtoi ai.

Gjermania tashmë ka filluar zyrtarisht fushatën e saj të vaksinimit kundër COVID-19. Qeveria federale po planifikon të shpërndajë rreth 700.000 doza vaksinash në javë tek autoritetet lokale të shëndetit.