Një kosovar – personi i parë në Slloveni me variantin anglez të COVID-19

Në Slloveni të shtunën është regjistruar rasti i parë me variantin e ri (anglez) të coronavirusit.

Siç ka njoftuar kryeministri slloven, Janez Jansha, bëhet fjalë për një shtetas të Kosovës, i cili ka lejeqëndrimi të përkohshme në Slloveni. Personi kishte ardhur nga Belgjika, raporton portali i gazetës sllovene Delo

Sipas njoftimit, kosovari është i punësuar në një kompani në Kranj dhe se kompania ka dërguar punëtorë edhe në Belgjikë.

llovenia u informua për personin me variantin e ri të coronavirusit përmes Sistemit Evropian të Paralajmërimit të Hershëm.

Autoritetet belge kanë njoftuar se personi u diagnostikua me infeksion më 16 janar, kur u largua nga Belgjika.

Më vonë u zbulua se ai kishte dy teste – njëri ishte pozitiv, tjetri negativ, dhe se ai përdorte vetëm testin me rezultat negativ kur kalonte kufirin.

Autoritetet sllovene tani janë duke gjurmuar kontaktet e kosovarit të infektuar me variantin anglez të coronavirusit të ri.