Digiqole ad

PDK akuzon Kurtin e Osmanin se shkuan në veri të Mitrovicës për fotografi në kohë zgjedhjesh, “poshtëruan shtetin”

 PDK akuzon Kurtin e Osmanin se shkuan në veri të Mitrovicës për fotografi në kohë zgjedhjesh, “poshtëruan shtetin”

Kreu i LVV-së Albin Kurti, së bashku me Vjosa Osmanin e cila është pjesë e listës së Vetëvendosjes për zgjedhjet e 14 shkurtit, sot kanë vizituar veriun e Kosovës.

Siç raportohet, ata hasën në disa pengesa për shkak që disa serbë tentuan ta ndërprejnë agjendën e tyre.

Ndaj tërë kësaj, ka reaguar PDK.

Kjo parti, përmes një komunikate thotë se Kurti e Osmani turpëruan shtetin dhe cenuan rëndë të arriturat në atë pjesë të vendit.

“Për më shumë se një dekadë, Albin Kurti na thoshte “shkoni në Mitrovicë”, i nxitur nga urrejtja për të provuar se shteti i Kosovës është i paaftë dhe i dështuar. Njeriu që përpiqej të përfitonte politikisht në kurriz të institucioneve tona kur vit pas viti shtrihej sovraniteti dhe rendi kushtetues i Kosovës në veri, sot turpëroi shtetin dhe cenoi rëndë të arriturat në atë pjesë të vendit tonë. Duke abuzuar të gjithë infrastrukturën shtetërore dhe privilegjet e institucionit të presidentit, Albin Kurti i shoqëruar nga asistentja e tij politike, Vjosa Osmani, nëpërkëmbën dhe poshtëruan Republikën e Kosovës dhe rendin kushtetues të saj”.

“Përzurja poshtëruese nga një grup huliganësh në veri, e dëshmoi se Vjosa Osmani është e padenjë për atë pozicion dhe e ka shndërruar institucionin e presidentit në një zyrë partie”, thuhet në komunikatë.

Partia Demokratike e Kosovës thotë se “dënon sjelljen e shëmtuar, të pamatur dhe të rrezikshme të dy pretendetëve për pushtet, Kurti-Osmani, të cilët vunë në pikëpyetje të arriturat e deritanishme të institucioneve tona për ta shtrirë sovranitetin, vendosjen e pushtetit gjyqësor dhe instaluar rendin e sigurinë”.

“Kjo që pamë sot, është poshtërim i këtyre dy aventurierëve që për qëllime të ulëta politike, i nëpërkëmbin të arriturat e vështira të shtetit të Kosovës të ngritur mbi sakrificën e popullit tonë dhe luftën e UÇK-së”.

Sipas PDK, Kosova ka nevojë për liderë të fuqishëm, që nuk shkojnë në pjesën veriore për një fotografi në kohë zgjedhjesh siç bën Kurti e Osmani, por për ta ushtruar pushtetin shtetëror dhe që mundësojnë lirinë e lëvizjes, prosperitetit e të ardhmes të të gjitha komuniteteve që jetojnë në atë pjesë.

“Partia Demokratike e Kosovës ka dëshmuar në të kaluarën se është e vetmja që ka fuqinë, vizionin e guximin për ta shtrirë rendin kushtetues në të gjithë Kosovën. E ka bërë në vitin 2011 me hyrjen e njësive speciale në veri; me 2012 kur ndaloi vizitën e presidentit serb Nikoliq; me 2017 duke ndalur trenin dhe më 2018 me arrestimin e Marko Gjuriqit që hyri pa leje në Kosovë .

Më shumë se kurrë, qytetarët e Kosovës duhet t’i besojnë programit të rimëkëmbjes në këto zgjedhje për forcim të shtetit, përfundimin e dialogut me njohjen nga Serbia dhe fuqizimin e raporteve me miqtë ndërkombëtarë.

Me 14 shkurt, qytetarët e Kosovës do t’i thonë jo politikanëve aventurierë, të rrezikshëm, të pa përvojë dhe pa guxim. Në këto zgjedhje, do të fitoj partia e shtetndërtimit dhe e rimëkëmbjes së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Digiqole ad

Të ngjashme