Hoxhaj: Pas 14 shkurtit nuk do të kemi kryeministër antiamerikan

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Enver Hoxhaj bashkë me Memli Krasniqin kanë prezantuar sonte Planin e Rimëkëmbjes së politikës së jashtme dhe të promovimit të Kosovës.

Ai tha se për dallim prej Rambouillet e Vjenës, ku ishin marrë vendime në favor të Kosovës për çlirimin dhe pavarësinë e vendit, si rezultat i një diplomacie të mençur, tani në Kosovë kemi politikanë antiamerikanë e autokratë si Albin Kurti, i cili nuk e merr seriozisht politikën e jashtme

Hoxhaj goditi Kurtin duke thënë se kurrë nuk do ta kishte menduar që Kosova do ta kishte një kryeministër që tallet me Shtëpinë e Bardhë duke i përmendur thikat mbi hartën e Kosovës dhe që i linçon e ofendon zyrtarët amerikanë.

“Politika e jashtme është vija e parë e frontit ku fillon mbrojtja e shtetit nga kërcënimet nga jashtë dhe mbrojtja e të arriturave të shtetit tonë. Sfidë kryesore në politikën e jashtme do të jetë anëtarësimi i Kosovës në OKB, në BE, në NATO dhe përmbyllja e dialogut me Serbinë. Qëndrimi i PDK-s është i qartë: Kosova nuk do të bëjë asnjë kompromis që shkon përtej pakos së Ahtisaarit, që e shkel Kushtetutën e vendit ose që e cenon sovranitetin e vendit dhe integritetin territorial. Me mua si kryeministër, Kosova nuk do të bëjë asnjë kompromis që e cenon rendin kushtetues dhe karakterin unitar të shtetit. Derisa Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, BE u tregua e padrejtë ndaj nesh dhe ka trajtuar qytetarët e Kosovës si qytetarë të rendit të dytë. Kjo qasje duhet të marrë fund. Politika e jashtme është jetike për ekzistencën e shtetit dhe ajo është aftësia e një shteti për të krijuar aleanca, politika e jashtme është besimi dhe jo ofendimi i miqve”, ka thënë Hoxhaj.

Hoxha ka theksuar se falë diplomacisë në Konferencën e Rambujesë, të kryesuar nga Hashim Thaçi, Kosova fitoi mbështetjen e SHBA-së dhe të perëndimit dhe pavarësia në vitin 2008 u shpall po ashtu falë diplomacisë së mençur dhe falë largpamësisë për të bashkëpunuar me SHBA dhe BE-në.

“Sot për dallim prej Vjenës dhe Rambujesë në Kosovë kemi politikanë antiamerikanë, sot kemi politikanë që nuk e marrin seriozisht politikën e jashtme. Për fat të keq, Kosova pati një kryeministër si Albin Kurti që foli për thikat mbi hartën e Kosovës në Shtëpinë e Bardhë. Kush do ta mendonte një ditë se Kosova do të kishte një kryeministër që do të tallej me Shtëpinë e Bardhë, dhe do të ofendonte dhe linçonte zyrtarët amerikanë. Kjo është ideologjia e një autokrati si Albin Kurti, e cila në thelb është antiamerikane. Ai gënjen kur thotë se ishte vetëm kur presidentit Trump. Ai ka qenë kundër të gjithë presidentëve amerikanë, kundër Clintonit duke kundërshtuar marrëveshjen e Rambujesë, kundër Bushit duke kundërshtuar pakon e Ahtisaarit, kundër Obamës duke kundërshtuar demarkacionin me Malin e Zi, sepse ai ishte dhe do të jetë kundër Amerikës”, është shprehur Hoxhaj.

Hoxhaj është zotuar se PDK-ja do t’i prijë aleancës me qytetarët për të mos lejuar që Kosova të kërcënohet nga autokratë të tillë si Albin Kurti dhe të mos ketë një kryeministër që ofendon Shtëpinë e Bardhë.

Ai tha se shqiptarët kanë nevojë për një lidership që respekton miqtë dhe se në politikën e jashtme asnjë parti tjetër në vend nuk ka vizion si të PDK-së, gjë e cila është dëshmuar gjatë qeverisjes Thaçi me sigurimin e 116 njohjeve dhe anëtarësimin në 60 organizata ndërkombëtare.

Hoxhaj tha se anëtarësimi i Kosovës në OKB mund të arrihet vetëm me përkushtim dhe diplomaci të mençur, ndërkohë që politika e jashtme nën drejtimin e PDK-së do të punojë në formimin e marrëdhënieve me SHBA, BE-në dhe Shqipërinë.

“Kosovës dhe shqiptarëve nuk iu duhet një kryeministër si Albin Kurti i cili shkon në Tiranë dhe përplaset me kryeministrin shqiptar, ndërkohë që i buzëqesh kryeministres serbe. Kosovës dhe shqiptarëve nuk iu duhet një kryeministër si Albin Kurti, i cili gjatë pandemisë mbylli kufirin me Shqipërinë, por ia hapi portat Serbisë që të shpallet gjendjen e jashtëzakonshme në veri të vendit. Kosovës dhe shqiptarëve nuk iu duhet një kryeministër si Albin Kurti që përçau shqiptarët e Maqedonisë duke marrë anën në betejat e tyre të brendshme zgjedhore. Kosova dhe shqiptarët kanë nevojë për një Kryeministër me përvojë në politikë të jashtme. Dhe, këtë e presin të gjithë qytetarët dhe çdo kush beson se unë do të përfaqësoj ndershëm dhe mirë qytetarët në politikën e jashtme”, ka thënë Hoxhaj.

Për më tepër, kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së ka thënë se qytetarët e Kosovës më 14 shkurt nuk do të votojnë Albin Kurtin, pasi ata e dinë se Kurti është rrezik për Kosovën dhe se nuk ka program për qytetarët, e as për politikë të jashtme, teksa serish e ka ftuar për debat televiziv.