Sot fillon fushata zgjedhore

Fushata për zgjedhjet e parakohshme 2021 në Republikën e Kosovës fillon sot zyrtarisht dhe do të vazhdojë deri më 12 shkurt.

1,794,862 qytetarë kanë të drejtë vote në zgjedhjet e 14 shkurti , pas certifikimit të listës përfundimtare të votuesve nga  Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Në listë janë mbi 102 mijë votues nga diaspora, që janë verifikuar gjatë ditëve të kaluara.

Qytetarët që kanë arritur të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë vendit, pasi kanë plotësuar kriteret ligjore, do të mund të votojnë përmes postës duke filluar nga data 2 deri më 12 shkurt për zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit.

Ndërkaq, identifikimi i personave të cilët janë të infektuar me coronavirus do të fillojë sot nga KQZ-ja dhe do të zgjasë deri më 11 shkurt. KQZ-ja do të dërgojë ekipe mobile te personat të cilët shprehin vullnetin për të votuar nëpër adresat e tyre.

Për procesin zgjedhor tashmë janë angazhuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Prokuroria, Policia e Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka thënë se ky institucion bart barrën kryesore të organizimit të zgjedhjeve.

Ajo ka shtuar se KQZ është angazhuar vazhdimisht për organizim të zgjedhjeve të besueshme dhe me standard të lartë.