KQZ shpërndan materialin e ndjeshëm zgjedhor nëpër komuna me përcjelljen e policisë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur sot në mëngjes të bëjë shpërndarjen e materialit të ndjeshëm zgjedhor nëpër komunat e vendit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen nesër.

Kamionët me material të ndjeshëm zgjedhor ku bëjnë pjesë edhe fletëvotimet janë nisur nga depo qendrore e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në bazë të planit operacional për në depot e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në të 38 komunat e Kosovës.

Zyrtari i KQZ-së në prani të policisë ka treguar se cilët kamionë duhet të shkojnë në komunat e caktuara.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se materiali po shpërndahet nën mbikëqyrjen e policisë drejt depove të komisioneve të zgjedhjeve në 38 komuna.

“Nesër në orët e hershme do të shpërndahet në qendrat e votimit”, tha ai.

Elezi tha se janë shtypur rreth 10% më pak fletvotime se numri i votuesve, por se ka fletvotime edhe rezervë.

“Kështu kemi vepruar edhe në të kaluraën dhe asnjëherë nuk është paraqitur mungesa e fletvotimeve në votime”, tha ai.

Nisja e materialit është bërë në prani të Policisë së Kosovës e cila do të përkujdeset për sigurinë.