​LVV: Fjala referendum ka qenë e qëlluar

Lëvizja Vetëvendosje zgjedhjet e sotme i ka quajtur referendum, sa i përket pjesëmarrjes së qytetarëve në votim.

Partia e Albin Kurtit duke shprehur falënderimin ndaj votuesve, i ka ftuar ata të mos dalin në sheshe, por të festojnë pranë familjeve. Ndërkohë shtuan se presin të ketë fitore të madhe dhe bashkëpunime me opozitën e ardhshme në Kuvend.

Anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu tha se zgjedhjet e sotme kanë qenë të kënaqshme për demokracinë e vendit.

“Kam një mesazh falënderimi dhe mirënjohje të thellë për qytetarët e Republikës së Kosovës. Dalja e tyre në këto zgjedhje ka qenë e kënaqshme për demokracinë tonë. Mendojmë se sa i përket daljes dhe pjesëmarrjes në këto zgjedhje fjala referendum ka qenë e qëlluar. Disa herë e kemi thënë presim të kemi fitore të madhe dhe do të kemi bashkëpunime shumë të mira në Kuvendin e Kosovës”, tha ajo.

Ish-ministrja e Drejtësisë tha se në këto momente e gjithë vëmendja duhet të tjetër tek numërimi i votave për të garantuar votën e lirë.

“ I ftojmë qytetarët e Republikës së Kosovës që festën e tyre dhe tonë të bëjnë secili pranë familjes në shtëpinë tonë. Është me rëndësi të mos tubohemi në sheshe dhe rrugë për shkak të pandemisë, por edhe për shkak se temperaturat e ulëta dhe temperaturat e ulëta mund të bëhen shkak për problemet me shëndetin individual dhe publik. Arsyeja tjetër se pse po e bëjë këtë thirrje është se në këto momente po ndodh një proces shumë i rëndësishme, ai që është numërimi i votave. E gjithë organizata dhe vëmendja e aktivistëve duhet të jetë tek puna e komisionarëve dhe vëzhguesve sepse duhet të garantojmë votën e lirë dhe të paprekshme të secilit qytetarë. Prandaj edhe një herë të mos festojmë në sheshe, por pranë familjes”, deklaroi ajo.

Ndërkaq, zëdhënësi i LVV-së, Përparim Kryeziu nuk pranoi të diskutoi exit-pollet e publikuara orë më parë.

“Ne kësaj radhe nuk do i diskutojmë Exit Poll-et tashmë veçse ka filluar numërimi i votave nga KQZ-ja dhe do e përcjellim këtë proces si dhe do pranojmë raportime të vazhdueshme periodike nga komisionarët tanë nga qendrat e votimeve dhe numërimeve”, tha ai.