Digiqole ad

Partitë politike gjobiten me mbi 120,000 euro për thyerje të heshtjes zgjedhore

 Partitë politike gjobiten me mbi 120,000 euro për thyerje të heshtjes zgjedhore

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka njoftuar të mërkurën se si pasojë e ankesave për thyerje të heshtjes zgjedhore në Kosovë, për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, do të gjobisë subjektet politike me mbi 120,000 euro.

Ky institucion ka pranuar 134 ankesa lidhur me këtë lloj shkeljeje nga ana e partive politike, mirëpo ka pranuar si të bazuara 177 prej tyre.

Partia Demokratike e Kosovës është gjobitur me 42,500 euro, Lëvizja Vetëvendosje me 37,500 euro, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, 22,000 euro, NISMA, 2,000 euro dhe Lista Serbe 1,000 euro.

“Natyra e ankesave të paraqitura kanë qenë, heshtja zgjedhore, thyerja e heshtjes zgjedhore gjatë ditës së votimit për të votuar subjektin e caktuar politik, thirrja për të votuar disa kandidatë nëpërmjet portaleve të gazetave, shpërndarja apo postimi i disa fotografive me aktivitet elektoral në rrjete sociale si Facebook, thirrje për të votuar nëpërmjet rrjetit social Facebook, bërja e fushatës me veturë 100 metra afër qendrës së votimit, shpërndarja e SMS-ve për votim te qytetarët, vendosja e banerëve me foto të kandidatëve në afërsi të shkollës, vendosja e posterve të kandidatëve në oborrin e Qendrës së Votimit, mbajtja e fushatës gjatë ditës së votimit”, është thënë në njoftim.

Sipas të dhënave preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, e udhëhequr nga Albin Kurti, ka fituar zgjedhjet e 14 shkurtit rreth 48 për qind të votave.

Partia Demokratike e Kosovës ka fituar 17.35 për qind të votave, Lidhja Demokratike e Kosovës 13.18 për qind të votave, dhe në vendin e katërt është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.42 për qind.

Digiqole ad

Të ngjashme