Klinaku: Publikimi i dosjeve të UNMIK-ut është dashakeqës dhe me pasoja

Kryetari në detyrë i OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, ka thënë se publikimi i dosjeve të UNMIK-ut rreth vrasjeve të Xhemajl Mustafës dhe Ekrem Rexhës është dashakeqës.

Ai ka shtuar se do të dështojë përpjekja e Gjykatës Speciale për njollosje të luftës së UÇK-së, njofton Klan Kosova.

“Lufta jonë ka qenë, është dhe do të mbetet e shenjtë!”.

Postimi i plotë:

Ripublikimi i dosjeve të dështuara të UNMIK-ut nga ana e mediumit të Baton Haxhiut, është dashakeqës dhe me pasoja për opinionin publik.

Ndërsa, deklaratat e Milaim Zekës e të disa eksponentëve të LDK-së, jo vetëm që kanë pasoja për publikun, por janë edhe një përpjekje e mjerë dhe për të të ardhur keq për akuzim të padrejtë të udhëheqësve të UÇK-së, të cilët po përballen me “drejtësinë” ndërkombëtare në Hagë.

Ashtu siç kanë dështuar përpjekjet për njollosjen e luftës së lavdishme të UÇK-së nga ana e Serbisë, UNMIK-ut dhe EULEX-it, poashtu do të dështojnë edhe këto përpjekje të Gjykatës Speciale dhe ndihmësve të saj.

Lufta jonë ka qenë, është dhe do të mbetet e shenjtë!

Faton Klinaku
U.D. i kryetarit të OVL UÇK-së