Kurti: Do të kemi shumicën në Kuvend pa koalicion, me Serbinë hapim kapitull të ri

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u shpreh i bindur se qeveria e tij do të ketë votat e mjaftueshme në Kuvend pa pasur nevojë për një koalicion paszgjedhor. Ai thotë se mund të marrë vota nga deputetë jo-serbë si dhe nga ndonjë deputet tjetër opozitar.

Në një intervistë për Agjencinë Bullgare të Lajmeve (BTA), Kurti flet edhe për dialogun, duke thënë se do të hapet një kapitull i ri me Serbinë përmes një dialogu të sinqertë. Ai ka përsëritur se dialogu do të jetë prioritet i katërt pas punësimit, drejtësisë dhe pandemisë COVID-19.

Në lidhje me integrimin në Bashkimin Evropian, Kurti deklaroi se do të punojë me pesë vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, si Spanja, Sllovakia, Rumania, Greqia dhe Qipro, për të ndryshuar mendim rreth mëvetësisë së Kosovës.