Kurti pas rrahjes së djalit të Rashiqit: Duket se u rrah pasi babai nuk iu nënshtrua kërcënimeve të Serbisë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka reaguar pasi djali i politikanit Nenad Rashiq, Nikolla, u sulmua fizikisht me armë të ftohta, sulm të cilin Kurti e konsideron politik.

“Me keqardhje të madhe morëm lajmin se sot në Graçanicë, djaloshi 18 vjeçar, Nikolla Rashiq, u rrah brutalisht me armë të ftohta. Nikolla është i biri i Nenad Rashiqit, politikanit demokrat e të mirënjohur serb në Kosovë”, shkruan Kurti në Facebook.

“Duket se ky krim banditesk ndaj Nikolla Rashiqit është i organizuar dhe ka të bëjë me prindin e tij që nuk u thye e as s’u nënshtrua ndaj trysnisë e kërcënimeve të Serbisë. Me gjasë, meqë nuk e frikësuan dot Nenad Rashiqin, ia rrahën të birin Nikollën”.

Kurti tha që në qeverinë e udhëhequr nga ai, ata do të punojnë për të sjellë siguri për të gjithë qytetarët pa dallim përkatësie kombëtare, si dhe bëri thirrje që të zbardhet drejtësia lidhur me rastin e djalit të Rashiqit.

“Në qeverinë tonë të re do të punojmë që të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim përkatësie kombëtare të jetojnë të sigurtë”.

“Kërkoj që organet e rendit urgjentisht ta zbardhin këtë rast dhe kriminelët të përgjigjen para drejtësisë, ndërkaq Nikollës i uroj shërim të plotë e të shpejtë”