Qeveria në detyrë mbajti mbledhjen e radhës, këto janë vendimet që u morën

Qeveria në detyrë e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e 66-të ne radhë.

Në këtë mbledhje e cila u mbajtë në mënyrë elektronike janë miratuar disa vendime nga fushat e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

“Me vendimin e parë është miratuar Programi për Komunitete, i cili përcakton kriteret dhe procedurat e ndarjes së subvencioneve dhe transfereve nga buxheti i Zyrës për Çështje të Komuniteteve në Zyrën e Kryeministrit, me qëllim të mbështetjes dhe promovimit të të gjitha komuniteteve në Republikën e Kosovës.

Ky program do të zbatohet nga Zyra për Çështje të Komuniteteve në Zyrën e Kryeministrit dhe nga personat fizikë dhe juridikë që do të jenë përfitues të subvencioneve. Programi do të garantojë lirinë e pjesëmarrjes në konkurrim; mos diskriminim dhe trajtim të barabartë të aplikimeve; transparencë të procedurave dhe vendimmarrjes për aplikuesit; përputhshmërinë me objektivat e ndarjes së subvencionit; paanshmëri në shqyrtimin dhe parandalimin e konfliktit të interesit; ndalimin e financimit për të njëjtin përfitues më shumë se një herë brenda një viti; dhe ndalimin e subvencionimit të të njëjtit projekt nga organizatat tjera buxhetore apo donatorët, me përjashtim të rasteve të bashkëfinancimit”, thuhet në njoftimin për media.

Qeveria po ashtu ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve shtesë financiare në shumën 665,210.00 për pagesën e primit bruto të sigurimit kufitar për periudhën 1 gusht 2020 deri 31 dhjetor 2020. Këto mjete do të paguhen nga Thesari në llogarinë e veçantë të Byrosë Kosovare të Sigurimit.

“Miratimin e Qeverisë ka marrë edhe vendimi për ndarjen e mjeteve financiare shtesë për Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Zyrën e Kryeministrit për financimin e kërkesave të shoqatave të pensionistëve dhe kërkesën e shoqatave të familjarëve të të zhdukurve. Pesëmbëdhjetë mijë (15, 000.00) euro ndahen për pensionet bazike-sociale; pesëmbëdhjetë mijë (15,000.00) euro për financimin e kërkesave të shoqatave përkatëse të pensionistëve; tridhjetë e katërmijë e gjashtëqind e dhjetë (34, 610.00) euro për Zyrën e Kryeministrit në kategorinë e subvencioneve dhe transfereve; tridhjetë e katër mijë e gjashtëqind e dhjetë (34, 610.00) euro për financimin e kërkesave të shoqatave të familjarëve të të zhdukurve”, thuhet më tej në njoftim.

Pas shqyrtimit nga kabineti qeveritar, është miratuar vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit nr. 02/30 të datës 12.05.2020, i plotësuar me Vendimin nr. 03/60 të datës 27.01.2021, për përdorimin e automjeteve të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Sipas plotësimeve dhe ndryshimeve, rregullave të përdorimit të automjeteve zyrtare nuk ju nënshtrohen veturat në shfrytëzim të Drejtorisë për Zbatimin e Ligjit dhe njësive tjera në kuadër të Doganës së Kosovës. Këto vetura, me autorizim të drejtorit të Drejtorisë për Zbatimin e Ligjit, drejtorit të përgjithshëm të Doganës dhe me vendim të ministrit të Punëve të Brendshme mund të përdoren nga njësitë doganore për qëllime operacionale në çdo kohë edhe jashtë orarit të punës.

Kabineti qeveritar ka shqyrtuar kërkesën e Ministrisë së Mbrojtjes për pezullimin e nenit 20 të Rregullores Nr. 23/2020 për Atashetë e Mbrojtjes deri në plotësimin dhe ndryshimin e Rregullores nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

“Me qëllim të shfrytëzimit të buxhetit të ndarë për mbulimin e shpenzimeve të planifikuara për atashetë e mbrojtjes në kuadër të misioneve diplomatike, përkatësisht transferimit të fondeve buxhetore, Ministria e Mbrojtjes në konsultim me Thesarin do të lejojë që përmes atasheut të sigurohet qasja në të gjitha transaksionet bankare për Ministrinë e Mbrojtjes dhe për Thesarin. Kjo do të sigurojë që fondet në këto llogari do të shfrytëzohen ekskluzivisht për qëllime zyrtare dhe për realizimin e shpenzimeve të planifikuara për atashetë e mbrojtjes”, thuhet në njoftim.

Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin për zbatimin e sanksioneve ekonomike ndërkombëtare ndaj entiteteve dhe personave fizikë, të përcaktuar sipas listave të sanksioneve, të vendosura nga: Organizata e Kombeve të Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këto sanksione zbatohen me qëllim të ruajtjes së interesave kombëtare të Republikës së Kosovës dhe kontributit aktiv për ruajtjen e paqes dhe të sigurisë ndërkombëtare. Sanksionet do të vazhdojnë deri në një vendim tjetër të Qeverisë dhe varësisht nga rrethanat mund të përditësohen.