12 të arrestuar në aksionet e sotme të Policisë

12 persona janë arrestuar sot në aksionet e Policisë së Kosovës të cilat kanë nisur nga Agjencia për Zhvillim të Bujqësisë që funksionon në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë dhe kanë vazhduar në Komunën e Istogut, Lipjanit dhe Gjilanit.

Në mesin e katër zyrtarëve të arrestuar të Agjencisë për Zhvillim të Bujqësisë (AZHB) është edhe ushtruesi i detyrës së kryeshefit të kësaj agjencie Agim Nuha që, sipas burimeve të Klan Kosovës, është arrestuar për marrje të ryshfetit në vazhdimësi për dhënien e subvencioneve.

Pjesëtarët e Njësisë Speciale dhe të Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike duket se kanë gjetur edhe prova materiale në AZHB, pasi nga atje janë larguar me disa dosje.

Lidhur me këtë aksion do të ketë një konferencë për media, e cila pritet të nisë për pak, nga Prokurori i Shtetit bashkë me Policinë e Kosovës.