Hoxhaj: Kurti fitoi me demagogji, mashtrim e populizëm

Kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj, tha sonte në Rubikon të Klan Kosova se Albin Kurti dhe VV fituan në zgjedhjet e 14 shkurtit me populizëm, demagogji e mashtrime ndaj qytetarëve të Kosovës.

Ai e ka krahasuar rritjen e madhe të Kurtit e VV me rastet e populistëve që para 10 viteve kishin fituar në Greqi e Itali por që sipas tij shpejt i kishin zhgënjyer qytetarët.

”Ardhja e Kurtit në pushtet, është në kuadër të triumfit që populizmi ka pasur në këto tri vitet e fundit”.

”Unë kam parë se si partitë populiste kanë fituar në Greqi”.

”Rezultati zgjedhor dhe fitorja e VV-së më shumë është në kuadër të trendëve globale e rajonale të rritjes së populizmit të partive që përdorin demagogjinë, mashtrimin, të jenë të një retorike më agresive”.

”Kjo ndodhë kur brenda një sistemi politik, sistemi politik lodhet, ka jostabilitet, ka pabarazi ekonomike. Ka rritje të demografisë, dhe e tëra përkthehet në një rezultat zgjedhor, që rezultate të tilla të njëjta kam parë në 10 vjetët e fundit kudo”.

Ai tha se trendet e populizmit europian e kanë prekur edhe Kosovën por njëjtë si në Europë, siç tha Hoxhaj, edhe në Kosovë kjo frymë bie shpejt.

”Jam i sigurt që kjo do të ndodhë. Jam i sigurt që PDK do të rikthehet si subjekt i parë politik në vend. Në 2014 fitorja jonë ka qenë e pastër kundër të gjithë rivalëve tanë politikë, por ndaj të gjithëve”.