Zbulohen detaje të reja: Dyshohet se siriani u ther me thikë e më pas u dogj

Në orët e para të mëngjesit është gjetur një person i vdekur (shtetas i huaj) brenda një shtëpie të pabanuar në lagjen Ulpiana e cila u përfshi nga zjarri.

Klan Kosova ka mësuar nga burime jozyrtare se dyshohet se azilkërkuesi nuk ka vdekur nga zjarri, por nga plagët e marra paraprakisht nga therja me thikë.

Policia e ka konfirmuar rastin për se, nga të dhënat fillestare që ka, dyshohet se vdekja ka ndodhur në rrethana të dyshimta.

“Bazuar në të dhënat fillestare nga këqyrja e vendit të ngjarjes, dyshohet për një person të vdekur ( shtetas i huaj) në rrethana të dyshimta brenda objektit të përfshirë nga zjarri. Aktualisht policia ka nisur një hetim lidhur me rastin respektivisht për rrethanat e kësaj vdekjeje të dyshimtë si dhe shkaqeve të zjarrit, por edhe ndërlidhjen eventuale mes tyre”, ka deklaruar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

Në vend të ngjarjes tashmë kanë dalë edhe ekipet e Forenzikës dhe prokurorja e rastit.