Shtyhet gjykimi për vrasjen e dy policëve në vitin 2004

Ka dështuar të vazhdoj gjykimi ndaj Bedri Krasniqit dhe Alban Dizdarit, të cilët po akuzohen për vrasjen e dy zyrtarëve policorë në vitin 2004.

Shkak për mos mbajtjen e seancës së paraparë për të premten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ishte mungesa e anëtares së trupit gjykues, gjykatëses Shpresa Hasaj- Hyseni, për të cilën u tha nga kryetari i trupit gjykues, Isuf Makolli, se e njëjta ka njoftuar se është e angazhuar në Këshill Gjyqësor të Kosovës (KGJK), në seancat e panelit për lirim me kusht.

Gjithashtu, njoftoi palët se është bërë edhe ndërrimi i trupit gjykues, meqenëse gjyqtarja Suzana Çerkini është avancuar në Departamentin Special, e se anëtar i i ri i trupit gjykues do të jetë gjyqtari Avni Syla.

Në këto rrethana, kjo seancë është shtyrë dhe pritet të mbahet me 7 prill, me fillim nga ora 10:00, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, të akuzuar në këtë rast për vrasjen e zyrtarëve policorë kishin qenë edhe Bajram Kiqmari, Faik Shaqiri, mirëpo Gjykata Supreme në shtator 2017, kishte nxjerrë aktvendim për lirimin e tyre, pasi sipas kësaj gjykate, dy të akuzuarit ishin gjykuar vite më parë rreth kësaj ngjarjeje dhe se ekziston një aktgjykim për pushimin e hetimeve kundër tyre.

Ish-Gjykata e Qarkut e Prishtinës, më 9 nëntor 2007, fajtor për sulmin që ishte konsideruar si terrorist e kishte shpallur vetëm Shkumbin Mehmetin, të cilin e kishte dënuar me 30 vite burgim, ndërsa i kishte liruar nga akuzat Nazim Kadriun, Arben Ahmetin, Arsim Rashitin, Jeton Sylejmanin, Osman Kelmendin, Florim Ejupin, Xhavit Kosumin, Faik Shaqirin, Nezir Kelmendin, Irfan Ademin, Xhafer Zymberajn dhe Bajram Kiqmarin.

Prokuroria e EULEX-it, me 21 korrik 2017 kishte ngritur aktakuzë kundër të akuzuarve Bedri Krasniqi, Alban Dezdari, Bajram Kiqmari, Faik Shaqiri, për shkak të kryerjes së veprave penale “vrasje e rëndë” dhe “vrasje në tentativë”.

Sipas aktakuzës, katër të akuzuarit me 23 mars 2004 në Podujevë, në bashkëkryerje me Agron Sylejmanin, Florim Ejupin dhe Shkumbin Mehmetin, kishin sulmuar një patrullë të UNMIK-ut, të cilët ishin duke patrulluar afër fshatit Shakovicë.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit kishin qëlluar me armë së paku 108 herë në drejtim të automjetit dhe katër pasagjerëve të saj, duke privuar nga jeta zyrtarin policor të UNMIK-ut, Possible Essuman dhe zyrtarin policor të Kosovës, Arsim Rrustollin, të cilët kishin qenë duke i kryer detyrat e tyre të mbrojtjes së rendi ligjor.

Lëndime nga plumbat e shkrepur kishin pësuar zyrtari i Policisë së Kosovës, Basri Mulliqi dhe përkthyesi i UNMIK-ut, Ramë Zeneli.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit qëllimisht ishin rrezikuar jetë e më shumë personave, të cilët ishin në automjete që vinin prapa veturës së UNMIK-ut, duke vepruar për motive nacionaliste dhe qëllimisht kishin kryer këto dy vrasje.