Pejani që thoshte se merr automjete tash ia ka vjedhur veturën kryetarit të Komunës

Pejani që thoshte se merr automjete tash ia ka vjedhur veturën edhe Gazmend Muhaxherit

Valon Loxha nga Peja, i cili u bë i njohur pas një kronike ku tregonte se i merr veturat që i gjen të hapura, është arrestuar mbrëmjen e së dielës.

Express mëson se Loxha ka marrë veturën zyrtare të kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri.

Me veturën e Muhaxherit, Loxha po dyshohet se ka shkuar në Rugovë.

Rastin e ka konfirmuar edhe Prokuroria Themelore e Pejës.

Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë, ka deklaruar për Express se i dyshuari është ndaluar për 48 orë.

“Lidhur me këtë rast, me urdhër të prokurorit të shtetit është ndaluar një person i dyshuar, për 48 orë”, ka deklaruar Nikçi.

Ndërkohë, para pak ditësh, Valon Loxha kishte deklaruar se kjo që po bën nuk është vjedhje.

Ai pati thënë se i merr veturat që i gjen të hapura, ndërkaq e quante budallallëk të pronarëve se pse ata harrojnë t’i mbyllin veturat e veta.