Paraburgim për prizrenasin: E mori në veturë një 13-vjeçare dhe e sulmoi seksualisht

Një muaj paraburgim i është caktuar të pandehurit Sh.B. në Prizren për shkak të dyshimit se kishte kryer veprën penale të sulmit seksual.

Siç thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Prizren, më 7 mars, i pandehuri kishte marrë në veturën e tij një fëmijë 13-vjeçare, Sh.B. duke e prekur në këmbë afër gjurit dhe në pjesë të ndryshme të trupit, derisa e dëmtuara ishte e ulur në ulësen e parë të pasagjerit. Vetura është ndalur nga një patrullë e Policisë me ç’rast i pandehuri është shoqëruar në Polici.

Në njoftim theksohet se është vlerësuar se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, “ngase i pandehuri me qëndrimin e tij në liri mund të fshihet apo të jepet në arrati me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale për shkak të dënimit të lartë që i kanoset për këtë vepër penale e cila parashikohet me dënim me burgim prej dhjetë (10) vjet deri në njëzetë (20) vjet, si dhe peshës së veprës penale e cila është e natyrës mjaftë të rëndë”.

Arsye tjetër për vendimin për caktimin e paraburgimit është edhe se i pandehuri besohet se mund të ndikojë tek fëmija i dëmtuar apo edhe familjarët e saj për të ndryshuar deklarimet apo të zhdukë provat.