Askush s’e di pse hyri Besian Mustafa në garë për kryetar të LDK-së

Besian Mustafa është kandidatura e pestë për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës e bërë zyrtare para ditës së 14 marsit kur kjo parti do të mbajë zgjedhjet për kryetar pas dorëheqjes së Isa Mustafës, por një gjë është e paqartë – për kandidaturën e Mustafës nuk ka qenë i informuar askush deri në bërjen publike të saj.

 
Së paku kështu është deklaruar nga të gjithë bashkëpartiakët e Mustafës të cilët me 14 mars do të jenë kundërkandidatë të tij për të marrë postin dhe detyrën e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, shkruan lajmi.net.

Gjatë një paraqitje televizive gjatë natës së mbrëmshme, kandidati për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ish-deputet dhe ish-ministër nga ky subjekt politik, Lumir Abdixhiku është shprehur se nuk ka qenë në dijeni për kandidaturën e Besian Mustafës edhe pse është takuar me të.

Abdixhiku në Klan Kosova ka deklaruar se Mustafa nuk i ka treguar se do të kandidojë, por sipas tij është legjitime dhe ai uron që të gjitha kandidaturat të jenë të vërteta.

“Jam takuar para kandidaturës së tij, nuk më ka treguar se do të kandidoj të nesërmen e kam kuptuar në media. S’është e befasishme, është legjitime. Veç uroj që të jenë të vërteta”, tha Abdixhiku.

I habitur me këtë kandidaturë është shprehur edhe kandidati tjetër për kryetar të LDK-së, kryetari i Komunës së Gjilanit dhe nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri.

Haziri në një paraqitje televizive është shprehur se kandidaturat janë reale dhe ka treguar se Mustafa ka vendosur të kandidojë pa e pyetur askënd dhe duhet të pranohet vlerësimi i tij.

“Për mua kandidaturat janë reale. Ka qenë e pandershme mbrëmë atributi i kandidaturës së z.Besian Mustafa që lidhet me këtë gjeneratë apo me atë gjeneratë. Njeriu ka vendosur të kandidojë dhe ka vlerësuar me kandidu pa e pyetur askënd dhe e ka bërë aktin. Pse nuk duhet me i’a pranu vlerësimin?”, tha Haziri.

Edhe Anton Quni, në një prononcim për lajmi.net është shprehur se është takuar me Besian Mustafën përpara se ky i fundit të kandidojë për kryetar të LDK-së, por nuk ka pasur njohuri paraprake lidhur me këtë.

 
Sipas Qunit është e kuptueshme që qëndrimet dhe vlerësimet evoluojnë dhe sipas tij, kandidimi i Mustafës e ka pasuruar listën e kandidatëve dhe është i mirëpritur.

“Edhe unë jam takuar me z. Besian Mustafa, por nuk kam pasur njohuri paraprake. Është e kuptueshme që vlerësimet dhe qëndrimet munden me evolu, kështu që që unë e kam mirëpritur kandidimin e z. Mustafa. Tani besoj se lista e kandidatëve për kryetar është shumë më e pasur”, tha Quni për lajmi.net.

Ndërkohë vet Mustafa gjatë një paraqitje të mbrëmshme televizive ka theksuar se nuk ka asgjë të keqe të ketë shumë kandidatura, pasi Lidhja Demokratike e Kosovës është partia më demokratike.

Lidhur me deklaratën e Abdixhikut, ai është shprehur se nuk e vlerëson si dashakeqe.

“Jo nuk do të doja ta vlerësoja si të tillë, mund të ketë edhe kandidatë të tjerë. Gjithsecili i kemi kontribuar pasurimit të demokracisë në Lidhjen Demokratike të Kosovës”, tha Mustafa.

Gjatë ditës së djeshme, në një prononcim për lajmi.net, analisti Rasim Alija është shprehur se numri i kandidaturave për kryetar të LDK-së mund të jetë edhe demokraci e brendshme, por edhe improvizim për t’ia pamundësuar zgjedhjen dikujt tjetër.

“Nëse e shohim nga jashtë është një sinjal i mirë, këto deklaratat e rëndomta të shoqërisë civile dhe analistëve në kuptimin e demokracisë së brendshme, por nga kjo përspektivë numri i kandidaturave është i shëndetshëm, por nuk e dimë a vjen si produkt i demokracisë brenda LDK-së, apo janë improvizime brenda strukturave të saj që t’i pamundësohet zgjedhja kryetar dikujt brenda.”, tha dje Alija.

14 marsi do të tregojë se cila është e vërteta e zgjedhjeve për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, derisa ende nuk dihet nëse Lumir Abdixhiku, Lutfi Haziri, Anton Quni, Skender Gashi e Besian Mustafa do të jenë kandidaturat e vetme deri atëherë.