Enver Hoxhaj: Albin Kurtit në Kuvend: Se di a ta ka ngritë vaksina temperaturën a çka ke?

Ushtruesi i detyrës së kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se prania e tij dhe nënkryetarit të Kuvendit nga kjo parti, Bedri Hamza, është më shumë për të thënë qëndrimin e tyre lidhur me çështjen e presidentit.


Gjatë fjalimit të tij, Hoxhaj i drejtoi edhe një pyetje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke i thënë se ndoshta vaksina anti-COVID që mori ditë më parë, ia ngriti temperaturën, pasi që ai që nga dje po flet për shkuarjen në zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Vaksina që e ke marrë, a ta ka rrit temperaturën a ka pas efekte anësore. Mëngjes folshe për zgjedhje mbramje folshe për zgjedhje, a vendi ka nevojë për lidership”, iu drejtua Hoxhaj, Kurtit.

Sipas tij, PDK-ja nuk shantazhohet nga VV-ja, pasi që më parë shkojnë në zgjedhje, se sa që bëhen pjesë e asaj që Hoxhaj e quan ‘teatër’.

“PDK nuk shantazhohet. Ne më shumë preferojmë që të shkojmë në zgjedhje e të ruajmë parimet tona, sesa të bëhemi pjesë e këtij teatri drama e së cilit po luhet në dy pjesë. Pjesën e parë e kemi parë mbrëmë e pjesën e dytë po e shohim sot.”, tha tutje Hoxhaj.