Deputetja Albena Reshitaj ka thënë se nuk është larguar nga AAK-ja

Deputetja Albena Reshitaj ka thënë se nuk është larguar nga AAK-ja me vendimin që sot të marrë pjesë në seancën për zgjedhjen e presidentit, pavarësisht se partia e saj vendosi të mos merrte pjesë, shkruan Gazeta Sinjali.

Reshitaj ka thënë se nuk ka mundur të lejoj që funksionalizimi i institucioneve të varej nga Lista Serbe.

“Nuk kam mundur të lejoj që e ardhmja e funksionalizimit të institucionit e veçanërisht presidentit të varet nga Lista Serbe, e cila siç e dimë është e direktuar nga politikat e Vuçiqit nga Beogradi”, ka thënë Reshitaj.

Sipas saj situata me pandeminë është e rëndë dhe qytetarët nuk duhet të shkojnë në zgjedhje.

“E dimë se kemi rekord të vdekjeve nga koronavirusi dhe është më e pakta që qytetarëve iu duhet të shkojnë në zgjedhje”.

“Ne duhet të vetëdijësohemi që shëndetin e qytetarëve ta vëmë përpara çdo interesi politik”.

“Unë sot kam respektuar një aktvendim të Gjykatës Kushtetuese që kërkon që çdo deputet të qëndrojë në sallë në votimin e presidentit”.

“Nuk kam ardhur të votoj pro asnjë kandidatit, por vetëm të jem pjesë e seancës që të mos lejojmë që edhe pas 20 vitesh të dirigjohemi nga Lista Serbe e të varemi nga politikat e Serbisë”, ka shtuar ajo në një konferencë për media pas përfundimit të seancës.