Gjendet një person pa shenja jete në një barakë

Një person është gjetur pa shenja jete në një barakë në fshatin Hoçë e Madhe në Rahovec, mëngjesin e sotëm rreth orës 08:00, raporton Gazeta Sinjali.

Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Nysret Xhurkaj, i cili tha se viktima ka punuar si rojtar në fabrikën “Fatmir Commerc”.

“Datë 13.04.2021 rreth orës 08:00, nga pronari i fabrikës ‘Fatmir Commerc’’ që gjendet në fshatin Hoçë e Madhe, në Rahovec, është pranuar njoftim, se rojtari që kryen shërbim – sigurim në këtë fabrikë është gjetur i vdekur në një barakë”, tha ai.

Xhurkaj njoftoi se në vendin e ngjarjes ka dalë policia, si dhe hetuesit rajonal.

Vdekja e tij është konstatuar nga ekipi mjekësor që ka dalë në vendin e ngjarjes.

Më urdhëresë të prokurorit kujdestar, policia njofton se trupi i pajetë dërgohet në IML-e për obduksion.