LDK në Suharekë reagon pas aktakuzës kundër zyrtarëve komunal: Shqetësime për ndërtime pa leje i kemi ngritur në gusht


Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve Jehona Rrafshi-Lumi e cila është Drejtoreshë e Drejtorisë së Inspeksionit në Komunë të Suharekës, dhe H. M. nën dyshimin e bazuar mirë se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Pas kësaj ka reaguar Lidhje Demokratike e Kosovës (LDK), dega në Suharekë, transmeton Gazeta Metro.


Në gusht të vitit 2020 Metro pati raportuar në lidhje me ndërtimin ilegal që ishte duke u bërë në Suharekë dhe kryetari i kësaj komune, Bali Muharremaj, nuk kishte reaguar fare.

Reagim kishe bërë edhe LDK në gusht të vitit të kaluar duke kërkuar që të ndalen këto ndërtime pa leje.

LDK dega në Suharekë me anë të një komunikate për media sot, ka treguar se si kishte shkuar ky proces deri më tani.

“Shqetësimet për ndërtimet pa leje, të egra dhe në prona të ujrave, i kemi ngritur fillimisht me datë 19/Gusht/2020 përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook. Pas kësaj fillimisht i janë vendosur shiritat nga inspektorët e Komunës por nuk dihet se për çfarë arsye i është lejuar të vazhdohet ndërtimi i mëtutjeshëm pa u pajisur me leje ndërtimi. Po ashtu me datë 21/dhjetor/2020 në konferencën për media të organizuar nga LDK-dega Suharekë e kemi ngritur shqetësimin për objektin në Reshtan si dhe për dy objekte tjera të cilat ndërtoheshin pa leje ndërtimore dhe para syve të kësaj keq qeverisje të AAK-së në Suharekë”, thuhet në njoftim të tyre, transmeton Metro.

Në fund LDK ka kërkuar të tregohet e vërteta se kush ka qenë ai i cili i ka lejuar këto ndërtime pa leje dhe cili ka qenë personi i cili e ka penguar operatorin ekonomik që ka qenë i kontraktuar për rrënimin e objekteve pa leje.