Hoxhaj : Kurtit më shumë po i interesojnë bashkëpartiakët në Shqipëri sesa qytetarët këtu që po vdesin pa vaksina

Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës vlerëson se kryeministri Albin Kurti po interesohet më shumë për zyrtarët e partisë së tij në Shqipëri sesa për fatin e qytetarëve të Kosovës.

Ai ka shkruar se si Shqipëria i ka vaksinuar qindra mijëra qytetarë, ndërkohë që Kosova vazhdon të jetë ndër vendet me më së paku të vaksinuar në botë.“Albin Kurti për të satën herë po shfaqet në Shqipëri si kryeministri i Kosovës që më shumë i interesojnë bashkëpartiakët atje se fati i bashkëqytetarëve këtu.

Ndërkohë Shqipëria ka arritur numrin e 400 mijë qytetarëve të vaksinuar, në Kosovë janë vetëm 20 mijë të tillë në pritje të një tjetër kontigjenti ndihmash me vaksina”, ka shkruar Hoxhaj.

Këto komente ai i ka bërë teksa është takuar me drejtorin e Spitalit të Prizrenit, Afrim Avdajn. Hoxhaj tha se nga ai është informuar se në Prizren s’ka asnjë vaksinë në dispozicion.

“Në takimin me Drejtorin e Përgjithshëm të Spitalit të Prizrenit, Dr. Afrim Avdaj mësova se në këtë qytet të madh nuk ka asnjë vaksinë të vetme në dispozicion ndërkohë që kërkesat e qytetarëve janë të larta. Edhe qendrat e tjera të vaksinimit në Kosovë janë të mbyllura”, shkroi Hoxhaj.

“Njerëzit po infektohen edhe më shumë, të tjerët po vdesin në mungesë të vaksinave e kryeministri Kurti me ministrat e tij por bëjnë xhiro me xhipa e deklarata për mot të mirë në Shqipëri. Por parashikimet në Kosovë nuk janë të tilla z. Kryeministër. Janë të errëta dhe për të cilat do të mbash përgjegjësi!”, shtoi ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, votoi në zgjedhjet e sotme në Shqipëri pak pasi u hapën vendvotimet, ndërsa i ka ftuar qytetarët e Shqipërisë që ta bëjnë të njëjtën.

“Dita e zgjedhjeve është ditë e demokracisë. I ftoj të gjithë qytetarët e Shqipërisë që sot ta respektojnë atdheun duke votuar dhe bërë zgjedhjen më të mirë. Dita është e bukur, e dielë, me diell, kështu do të jetë deri në mbrëmje. Uroj ditë të bukura dhe mbarësi për Shqipërinë dhe secilin njeri që ashtu sikurse unë, e ka pasaportën e Republikës së Shqipërisë”, ka deklaruar Kurti pas votimit.