PSD: “Ky takim nuk ka ndodhur, lideri suprem nuk han kifle me Vuçiqin pa kërku falje Serbia”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq sot u takuan në Bruksel, ku shprehën qëndrime të kundërta në raundin e ri të dialogut.

Pas këtij takimi, PSD ka mbajtur një aksion te sheshi “Zahir Pajaziti”, ku në një baner kanë shkruar: “Kjo është montazhë. Ky takim nuk ka ndodhur. Albini nuk e takon Vuçiqin pa kërkuar falje Serbia”. 

Lidhur me këtë aksion, ka mbajtur konferencë sekretari organizativ i PSD-së, Nol Nushi, i cili në formë ironizuese ka thënë se gjithçka çka është raportuar në media është e pavërtetë dhe se çkado që thotë Kurti është e vërtetë

“Çështja ka qenë urgjente. Gjithë ditën e keni parë një foto të tillë… Kjo foto është një montazh tipik i partive që e kanë vjedhë shtetin qe 20 vite. Foto që e shihni nuk është as Albini e as Vuçiqi, as këta dy bashkë tu u taku mes vete. Nuk ka asnjë gjë që lideri suprem z. Kurti me u taku me Vuçiqin pa kërku falje Serbia. Nuk e di ku kanë pa këto media që i kanë bërë këto shpifje, ku kanë pa ata që z. Kurti të takohet me Vuçiqin pa u zbardh fati i të pagjeturve, pa u shpërbly dëmet e luftës e pa kthy artifaktet kulturore e shumë të këqija që Serbia ka bë në Kosovë. Ku kanë pa që z. Kurti pi kafe dhe ha kifle me z. Vuçiq pa kërku falje për krimet e Kosovës. Çkado që thotë z. Kurti, ajo është e vërteta, është e tëra”, deklaroi Nushi.