Ministri i drejtësisë: Po i hapim rrugë martesave mes gjinisë së njejtë në Kosovë

Kodi i ri Civil ka sqaruar shumë çështje të hapura pronësore dhe trashëgimtare, madje për herë të parë ka hapur rrugë për martesën mes gjinive të njëjta.

Kështu tha ministri i Drejtësisë, Selim Selimi i cili në një konferencë për medie ka deklaruar se janë në përfundim të procedurave të Kodit Civil. Selimi beson që Kodi Civil do të marrë përkrahjen nga Kuvendi i Kosovës, për çka kërkoi që sa më parë të procedohet në komisionet përkatëse.

Ai tha se ky Kod Civil do i përfshijë pesë libra që do rregullojnë disa çështje që kanë qenë të pazgjidhura për shumë vite në Kosovë.

“Janë sqaruar të drejtat pronësore, mënyra si fitohet dhe humbet pronësia, gjithashtu e kemi rregulluar një çështje shumë të rëndësishme e cila ka të bëjë me qytetarët e huaj. Është sqaruar e drejtat e shtetasve të huaj për të pasur pronësi në Kosovë ku kemi vendosur që parimisht të gjithë janë të barabartë. Por ne do punojmë në një ligj të veçantë që ta rregullojmë këtë barabarësi të shtetasve të huaj që dëshirojnë të kenë pronë në Kosovë“, theksoi ai. Ai madje tha se përmes këtij Kodi Civil me një ligj të veçantë po i hapet rrugë martesave mes gjinisë së njëjtë.