Digiqole ad

Pandemia i bëri më të dhunshëm kosovarët, nga marsi rreth 900 raste të dhunës në familje

 Pandemia i bëri më të dhunshëm kosovarët, nga marsi rreth 900 raste të dhunës në familje

Pandemia duket se i ka bërë më të dhunshëm kosovarët. Gjatë këtyre muajve, rastet e dhunës në familje kanë shënuar rritje. Sipas të dhënave të Policisë, nga marsi deri në korrik, janë raportuar rreth 900 raste të tilla, raporton Express.

Së paku pesë raste të dhunës janë raportuar të kenë ndodhur për çdo ditë në familjet kosovare gjatë periudhës së pandemisë. Në total, numri i këtyre rasteve që nga fillimi i këtij viti ka arritur në 1 mijë e 185.

Bazuar në të dhënat e Policisë së Kosovës, që ka siguruar Gazeta Express, numri i këtyre rasteve ka shënuar rritje krahasuar me periudhën e njejtë të vitit të kaluar. Këtë vit, janë regjistruar 170 raste më shumë.

Rajonet me më së shumti raste të tilla mbeten Prishtina, Prizreni dhe Peja.

Në Policinë e Kosovës thonë se këto raste i trajtojnë me prioritet dhe u bëjnë apel të gjithë atyre që janë pre e dhunës në familje ose çfarëdo lloj dhune tjetër, t’i raportojnë këto raste.

“Trajtimi i rasteve me prioritet nga ana e PK-së, bashkëpunimi i qytetarëve me policinë dhe senzibilizimi i qytetarëve, ka ndikuar në ngritjen e raportimit të rasteve. Andaj referuar rasteve të ngritura si dhe në veçanti referuar situatës dhe rrethanave qe gjendemi në këtë kohë pandemie, Policia e Kosovës kërkon nga të gjithë qytetarët që të mos shfaqin dhunë ndaj askujt”, thuhet në përgjigjet e Policisë.

Të gjithë personat që janë pre e dhunës në familje ose çfarëdo lloj dhune tjetër, mund t’i raportojnë  këto raste përmes numrave të telefonit 192 dhe 080019999 apo në stacionin më të afërt policor./Gazeta Express

Digiqole ad

Të ngjashme