“Nuk ka zemër për t’i dhënë fund agonisë serbe”, Vuçiqit i vjen goditja para takimit në Uashington

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, nuk gëzon më mbështetjen e Bashkimit Evropian si dikur, veçanërisht mbështetjen e Gjermanisë.

Kështu ka deklaruar në një intervistë për gazetën “Bota sot”, kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko.

Ajo ka thënë se Vuçiq po e ndryshon retorikën e tij çdo ditë dhe se hapësira e tij manovruese po bëhet gjithnjë e më e vogël.

“Vuçiq po ndryshon retorikën e tij çdo ditë. Ai madje iu bashkua deklaratës perëndimore për zgjedhjet në Bjellorusi, e cila u zbulua nga kreu i misionit të OSBE-së në Beograd. Ai nuk e gëzon mbështetjen e BE-së si dikur, veçanërisht atë gjermane. Hapësira e tij manovruese po bëhet gjithnjë e më e vogël. Serbia do të duhet të vendosë se kah do të shkojë”, është shprehur Biserko.

Sipas saj, presidenti serb meqënëse dominon parlamentin, mund të arrijë marrëveshjen përfundimtare me Kosovën. Por, Sonja Biserko ka theksuar se Vuçiq nuk ka guxim apo zemër për t’i dhënë fund agonisë serbe.

Ajo ka shtuar se synimi i Vuçiqit është hyrja në det.

“Vuçiq ka një mbështetje shumë të gjerë, partia e tij dominon parlamentin, prandaj, ai mund të arrijë marrëveshje. Sidoqoftë, ai nuk ka guxim apo zemër për t’i dhënë fund agonisë serbe. Aktualisht, ne po shohim se si Beogradi po përpiqet të ndikojë në zgjedhjet në Mal të Zi, gjë që është më e rëndësishme për nacionalistët serbë dhe atë të Kosovës. Kosova shërben si një argument për të kërkuar kompensim në Bosnjë dhe përfundimisht në Mal të Zi. Ndërsa, Serbia është një shtet pa dalje në det, hyrja në det është një nga “domosdoshmëritë kryesore gjeopolitike kombëtare në të ardhmen”. Vuçiq shpreson që në një ambient ndërkombëtar shumë të paqëndrueshëm, Serbia mund të ecë tutje me aspiratat e saj”, ka thënë Biserko.

Megjithatë, sipas saj, SHBA-të kanë interes të fortë gjeostrategjik për Kosovën dhe Maqedoninë dhe nuk do të lejojnë destabilizimin e tyre./BS