Anton Quni i thotë “JO” Vjosa Osmanit: Përjetësisht në LDK

Ministri i Mbrojtjes Anton Quni ka mohuar zërat se mund t’i bashkohet një partie të re që do të mund të formohej nga kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani. Quni  tha  se do të mbetet përjetësisht në partinë e formuar nga Ibrahim Rugova.


Formimi i një partie të re nga Vjosa Osmani është përfolur që nga momenti kur ajo u shkarkua nga pozita e nënkryetares së LDK’së, pozitën e së cilës e mori kryeministri aktual Avdullah Hoti.

Këshilli i Përgjithshëm i LDK’së, më 20 qershor të këtij viti, shkarkoi Vjosa Osmanin nga pozitat drejtuese me 70 vota për, 16 kundër dhe 28 abstenime, votim ky që u realizua në mënyrë elektronike, e që më pas u kontestua për mungesë transparence nga kandidatja për kryeministre e partisë më të vjetër në Kosovë në zgjedhjet e 6 tetorit.

Osmani pati përplasje të mëdha me kryetarin Isa Mustafa dhe kryesinë e ngushtë që nga rrëzimi i qeverisë së Albin Kurtit të cilën qeveri e përkrahu.

Përafrimi i qëndrimeve të Vjosa Osmanit me ish-kryeministrin Albin Kurti shtuan zërat se ajo mund t’i bashkohet Lëvizjes Vetëvendosje, por që një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Së fundi, emra të skenës politike përfshirë edhe anëtarë të LDK’së u përfolën se mund t’i bashkohen Vjosa Osmanit në rrugëtimin e ri të saj politik ndaras LDK’së