Intervistë ekskluzive me Dr.Ardian Shala kryetar i degës së LDK-së në Suharekë

SuharekaExpress: Z.Shala ju keni rezultuar pozitiv me COVID-19 dhe para 3 javësh keni deklarur qe jeni shëruar nga ky virus, si është gjendje shëndetësore e juaj momentalisht ?

Ardian Shala: Ka qenë një sfidë të cilën e kam kaluar me sukses. Duke flakur tutje të gjitha opcionet tjera pos vetbesimit dhe vendosmërisë në shërim. Tani ndjehem shume mire, i gatshëm t’i shërbej vendit dhe qytetarëve. Apeloj edhe njëherë tek te gjithë qytetarët qe te respektojnë masat ndërmarrura nga instucionet përgjegjëse në luftimin e pandemisë.

SuharekaExpress: Si po e menaxhon Bali Muharremaj situaten e pandemisë në nivelin lokal?

Ardian Shala: Z. Muharremaj ska se si ta menaxhojë mirë pandeminë, kur, siq raportojnë inspektorët komunalë, u bëhet vet pengesë atyre për t’i zbatuar masat, në vend se t’i stimulojë ata. Kur secili veprim i kryetarit aktual planifikohet vetëm për mbledhje votash, atëherë nuk kemi perspektivë të shëndoshë jo vetëm në menaxhimin e pandemisë por do të kemi dështim total edhe në sferat tjera të qeverisjes lokale.

SuharekaExpress: A mendoni se Komuna ka dështuar në zbatimin e projektit për ndërtimin e Sheshit të Qytetit?

Ardian Shala: Ideja për sheshin në Therandë është e kahershme, dhe padyshim që është një projekt i qëlluar, por çdo gjë tjetër pos idesë ka qenë, është dhe do të jetë dështim të cilin shtrenjtë do ta paguajnë qytetarët e Komunës sonë. Ky ka qenë një projekt mbushje xhepash për militantët e AAK- së dhe dëmtim serioz i bizneseve të qendrës së qytetit.

SuharekaExpress: A ka degraduar arsimi në Suharekë në qeverisjen e AAK-së ?

Ardian Shala: Kur një pushtetar nuk mendon për brezat e ardhshëm por vetëm për zgjedhjet e ardhshme, dështimi i progresit shoqëror është i sigurtë. Punësimet në sektorin e arsimit, bazuar në kriterin e vetëm që ka AAK ja në Therandë, pra atë të përkatësisë partiake, ka shkaktuar dëme të pariparueshme në sistemin arsimor. Pasojat e keqmenaxhimit të arsimit në Therandë nga Bali Muharremaj, do të ndjehen nga gjenerata të tëra.

SuharekaExpress: Çfarë atmosfere po mbizotëron në degën e LDK-së në Suharekë ?

Ardian Shala: Dega e LDK-së në Suharekë, është në atmosferë pune, harmonie, bashkëpunimi e ndërveprimi shumë të shkëlqyer. Secili veprimtar i LDK-së, secili anëtar i saj është duke vepruar sipas planit të veprimit të caktuar nga Kryesia e degës.

Interesimi i qyetarëve për t’u fuqizuar LDK ja në Suharekë, është jashtëzakonisht i madh. Gjatë viteve të qeverisjes Muharremaj, është dominuese një frikë dhe pasiguri e qytetarëve e shkaktuar nga një lloj mafie urbane, baza e së cilës, siq raportohet nga shumë qytetarë ndodhet pikërisht në zyren e kryetarit Muharremaj. Kjo zyre ka kontrabanduar me paratë e taksapaguesve qindra tenderë duke sakatuar infrastrukturen e qytetit. Njëkohësisht me defakto shndërrimin e Institucionit të Komunës në një formë të pronës private, nga kryetari aktual Bali Muharremaj dhe për një pjesë të vogël të militantëve të tij, nuk të habit fakti se shumë aktivistë dhe anëtarë të AAK-së në Therandë, kanë shprehur gatishmerine që ta përkrahin LDK- në në zgjedhjet e ardhshme.

SuharekaExpress: Cilat janë pritjet tuaja për zgjedhjet e ardhshme  lokale që do te mbahen në 2021 ?

Ardian Shala: Duke u bazuar në frikën qytetare se si asnjëherë herë më parë Komuna e Suharekës është kapur dhe trajtohet si pronë private nga Bali Muharremaj dhe disa nga argatët e tij, padyshim që do të kemi një dyndje të elektoratit drejt LDK-së, sidomos kur LDK tani është konsoliduar dhe procesi i saj i reformimit e ka pasuruar atë me shumë kuadro të reja.

Andaj zgjedhjet lokale të vitit 2021 do të ja kthejnë sërish Komunën qyetarëve të Therandës, duke e rikthyer sërish LDK-në në krye të institucioneve të Komunës sonë. Tanimë të reformuar e rifreskuar me kuadro të reja.

SuharekaExpress: Si janë marrëdhënjet tuaja me kryetarët e partive politike opozitare në Suharekë ?

Ardian Shala: Marrëdhëniet e mia me kolegët e partive tjera opozitare janë të mira, presim ta shtojmë edhe më tutje bashkpunimin, me qëllim të krijimit të mekanizmave per çkapjen e Komunës nga klani i ngushtë i z.Muharremaj.

SuharekaExpress: Z.Shala siç ka deklaruar edhe vetë znj.Osmani ajo përfundimisht do të largohet nga LDK-ja dhe në zgjedhjet e ardhshme do të garojë me një iniciativë qytetare, e gjeni veten në këtë iniciativë?

Ardian Shala: Znj.Vjosa Osmani i uroj sukses në rrugëtimin e saj politik. Nëse ka vendosur ta braktisë LDK-në, unë megjithatë e falenderoj për kontributin e saj në LDK. Nuk besoj se i bëjmë mirë Kosovës duke u larguar nga LDK-ja. Pa LDK-në asnjë proces dhe projekt me interes nacional nuk mund të jetësohet si duhet. LDK do të mbartë mbi supet e saja ndertimin dhe zhvillimin e vendit, përkundër pengesave dhe sfidave të brendshme dhe të jashtme, megjithatë LDK do ta bëjë Kosovën vend me dinjitet dhe me perspektivë për të gjithë banorëve e saj. Andaj unë do t’i kontribuoj vendit dhe qytetarëve duke qenë anëtar dhe veprimtar i devotshëm i LDK-së.

SuharekaExpress: Cilat janë marrëdhënjet tuaja me kryeministrin Hoti ?

Ardian Shala: Raportet e mia me kryeministrin e vendit janë të shkëlqyera, unë edhe si deputet edhe si bashkpartiak i kam ofruar mbështetjen e nevojshme në përpjekjet e tij për të vendosur vendin në binarët e zhvillimit dhe integrimit.

SuharekaExpress: Ç’mendim keni për marrëveshjet e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë?

Ardian Shala: Unë tashmë e kam bërë publik qëndrimin tim. Padyshim që është një marrëveshje e dobishme për vendin, për faktin se ndihmon ekonominë tonë, nuk cënon Kushtetutën dhe akoma më e rëndësishme rikuperon në nivele të shkëlqyeshme miqësinë me aleatin tonë strategjik Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Porosi kjo e kahershme e presidentit tonë historik dr. Ibrahim Rugova. Poashtu kjo marrëveshje vendos bazën e shëndoshë edhe për Marrëveshjen finale me Serbinë që do të perfundojë me njohje reciproke.

SuharekaExpress: Ju faleminderit për kohën!

Ardian Shala: Fleminderit, Suksese.