Gjykimi për vrasjen e rëndë në Suharekë i përplas në mes vete avokatin dhe prokurorin

Prizren – Derisa po dëgjohej dëshmitari Bajram Ademi, babi i të akuzuarës për veprën penale të shtytjes në vrasje të rëndë, Resmije Bytyqi, pati një debat të ashpër në mes të prokurorit Genc Nixha dhe mbrojtësit të të akuzuarit Murat Ademi, avokatit Bahtir Troshupa.

Një gjë e tille ndodhi në gjykimin që ka të bëjë me vrasjen e të tanimë të ndjerit, Abedin Bytyqi, që kishte ndodhur më 6 tetor 2016, me të cilën janë ngarkuar të akuzuarit Murat Ademi, Resmije Bytyqi, Fadil Fetiu dhe Reshat Ademi. Sipas aktakuzës, viktima pasi ishte rrahur, ishte mbytur duke iu vënë zjarri dhe më pas duke u groposur, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së mërkurës, dëshmitari Bajram Ademi, tha se nuk ka njohuri se vajza e tij ka pasur probleme me tani të ndjerin dhe se nuk e di nëse i ndjeri ka pasur probleme me dikë.

Dëshmitari Ademi tha se para rastit të ndodhur, të zhdukjes së të ndjerit Abedin Bytyqi, nuk ka ditur asgjë dhe se pas rastit, lidhur me atë ka biseduar vetëm me bashkëshorten

I njëjti deklaroi se me të akuzuarit ka tashmë 4 vite që nuk dalin, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Ka ardhur Murati në oborrin e shtëpisë time dhe i ka thënë vajzës time Resmijes, në qoftë se të thirr dikush në telefon, ti lajmëro menjëherë policinë”, tha dëshmitari se ka ndodhur pas rastit.

Mirëpo, derisa avokati Bahtir Troshupa i parashtronte pyetje dëshmitarit, prokurori Nixha i kundërshtonte ato, çka dhe nxiti debat të ashpër mes tyre.

“Ko me reagu në çdo pyetje tane”, thotë prokurori Nixha.

“Nëse nuk më ndërhyni dhe nuk më jepni këshilla shumë, unë e kryej këtë punë qishtu”, tha avokati Troshupa.

“Jo mor jo, na kemi me të dhëna këshilla ty derisa të bën pyetje qysh duhet…”, vazhdon prokurori.

“Jam i gatshëm me mësu por jo me më dhënë këshilla. Unë i ngoj këshillat prej atyre që se shkelin ligjin, e jo prej juve që e shkelni përditë”, iu përgjigj avokati.

Pas kësaj, prokurori kërkoi nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Xheladin Osmani, që avokatit t’i tërhiqet vërejtja.

“Të lutem tregoja që edhe një herë po e tha qet punë, atëherë merremi vesh ndryshe”, tha prokurori Nixha.

“Atëherë ti po më kërcënon mu?”, e pyeti avokati Troshupa.

“Po të kërcënoj se ti s’ki të drejtë me më thanë mu ‘na qysh mirrem vesh’, se unë jom prokuror”, vazhdoi prokurori.

“Unë jom i barabartë me ty”, iu drejtua avokati prokurorit.

“Jo ti s’je bashkë me mu, ti je i barabartë me mu, po unë e di punën tem qysh e kryej. Jo ti me më kallxu…. Po s’ki faj ti, se ka faj…jo faj…po përgjegjësia e gjyqtarit është…”, vazhdoi prokurori Nixha, duke konsideruar pyetjet e avokatit Troshupa si shumë provokative.

Pas debatit të tyre, gjykimi ka vazhduar me dëshminë e dëshmitarit Ademi.

Ndryshe, lidhur me këtë akuzë, Gjykata Themelore në Prizren, më 7 tetor 2019, e kishte shpallur fajtor për vrasje të rëndë, Murat Ademin dhe të njëjtin e kishte gjykuar me 25 vjet burgim.

Resmije Bytyqi, e cila kishte qenë bashkëshorte e të ndjerit, për veprën penale të shtytjes në vrasje të rëndë, ishte dënuar me 20 vjet burgim.

I akuzuari Fadil Fetiu, ishte shpallur fajtor për ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë dhe për këtë, ishte gjykuar me 12 vjet burgim.

Kurse, i akuzuari tjetër, Reshat Ademi, nga gjykata e shkallës së parë ishte shpallur i pafajshëm për veprën penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje.

Sipas aktgjykimit, të akuzurve Ademi dhe Bytyqi, në dënim do tu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 18 tetori 2016 deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit, kurse të akuzuarit Fetiu, do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga 18 nëntori 2016 deri më 28 qershor 2017, si dhe prej datës 20 maj 2019 e deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, i akuzon Murat dhe Reshat Ademin se me 6 tetor 2016, pas marrëveshjes paraprake, kanë privuar nga jeta, në mënyrë mizore, të ndjerin Abedin Bytyqi kurse, Resmije Bytyqin e akuzon për shtytje në kryerjen e vrasjes.

Fadil Fetiu fillimisht akuzohej për mos lajmërim të veprës penale, mirëpo, më 7 maj 2019, e kishte ndryshuar aktakuzën sa i përket Fetiut, ashtu që të njëjtin e ka ngarkuar me veprën penale të ndihmës në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë.

Sipas aktakuzës, vëllezërit Ademi, janë takuar gjatë vitit 2016 me të akuzuarën Resmije Bytyqi, të cilën e kanë vajzë të axhës dhe ajo u është ankuar atyre se bashkëshorti i saj, viktima, po e keqtrajtonte atë, duke e rrahur.

Më pas, sipas organit të akuzës, ajo u kishte kërkuar atyre që ta vrasin burrin e saj, duke u thënë se nëse ata nuk munden ta bëjnë vrasjen, ajo do ta angazhonte dikë tjetër për ta kryer një gjë të tillë.

Në dispozitivin e aktakuzës thuhet se i akuzuari Murat Ademi, i shtyrë nga e akuzuara Bytytqi,  ka shkuar në shtëpinë e të akuzuarit Fadil Fetiu, ku i ndjeri po punonte në instalimet elektrike dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit e ka rrëmbyer tani të ndjerin.

Tutje, në aktakuzë thuhet se Murat Ademi e ka lidhur viktimën dhe e ka dërguar në një vend të panjohur ku e priste i akuzuari tjetër Reshat Ademi dhe më pas të dytë e kanë goditur atë me mjete të forta duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit pasi e kanë rrahur viktimën, të njëjtin e kanë mbytur duke ia vënë zjarrin dhe më pas e kanë groposur.

 /BetimipërDrejtësi