Qendra turistike e fabrika të prodhimit – këto janë projektet në Kosovë që priten të financohen nga Uashingtoni

Të hënën është nënshkruar marrëveshja në mes të kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe kryeshefit ekzekutiv i Korporatës Financiare Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (DFC), Adam Boehler.

I pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit ishte edhe i dërguari i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Sipas dokumentit të nënshkruar, kjo do të ofrojë qasje në gamën e plotë të përkrahjes në investime, ofruar nga Korporata Financiare amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar.

Lidhur me këtë, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka treguar se cila nga disa projektet do të financohen nga kjo marrëveshje.

Rukiqi në profilin e tij në Facebook, thotë se Qendra e skijimit në Brezovicë, ajo e Boreas, fabrika e baterive, termocentrali me gaz natyror, janë disa nga projektet me mundësi të përfitimit të financimit amerikan.

Po ashtu, në konferencën e përbashkët për media, pas nënshkrimit të deklaratës së përbashkët, zyrtarët amerikanët kanë premtuar mbi 1 miliard dollarë investime për projektin “Autostrada e Paqes”, hekurudhën që lidh Kosovën me Serbinë dhe projektet e tjera, shkruan Telegrafi.

“Ne kemi punuar në përgatitjet për mundësitë të asaj që ka ndodhur para dy javësh. Ne kemi punuar me ambasadën tonë, me ambasadorin, ne jemi duke përgatitur projekte që kalojnë vlerën një miliard dollarë. Kjo përfshinë rrugën “Autostrada e Paqes”, hekurudhën, përfshinë gazin e lëngshëm natyror (LNG). Ne kemi folur dhe kemi diskutuar për mundësinë e investimeve në resor skijimi”, tha ai në konferencën për medie.

Ndryshe, delegacion i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, po udhëhiqet nga kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Financiare Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, Adam Boehler, i dërguari special i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, përfaqësues të USAID, kryetari i Bankës së Eksport-Importit të Shteteve të Bashkuara (EXIM), si dhe zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë nga Departamentet e Energjisë dhe Tregtisë në SHBA.

Marrëveshja e nënshkruar të hënën është në vazhdën e marrëveshjeve të nënshkruara mes Kosovës dhe Serbisë më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve.

GE