Digiqole ad

Hoti i kërkon BE-së liberalizim vizash e përfundim të dialogut me Serbinë me njohje reciproke

 Hoti i kërkon BE-së liberalizim vizash e përfundim të dialogut me Serbinë me njohje reciproke

Kryeministri Avdullah Hoti, gjatë ditës së sotme ka zhvilluar një bisedë virtuale me ambasadorët e BE-së, të cilëve u ka kërkuar të përmbyllet procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën dhe atë të dialogut me Serbinë me njohje reciproke.


“Në këtë takim, kryeministri Hoti i ka njoftuar ambasadorët për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke vlerësuar se Qeveria pret që ky proces të përmbyllet me marrëveshjen gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese, që përfundon me njohjen reciproke ndërmjet dy vendeve. Gjatë kësaj bisede, kryeministri Hoti theksoi faktin se liberalizimi i vizave do të hapte një mundësi reale për qytetarët dhe bizneset e Kosovës dhe do të krijonte mundësi të reja të zhvillimit ekonomik të vendit”, thuhet në komunikatën e ZKM-së.

Kryeministri Hoti, me këtë rast, ka falënderuar ambasadorët e vendeve mike për ndihmën dhënë Kosovës në përballimin e situatës me pandeminë COVID-19. Në të njëjtën kohë, ai ka shprehur përkushtimin e Qeverisë për parandalimin dhe menaxhimin sa më efikas të kësaj pandemie, si dhe për rimëkëmbjen ekonomike si pasojë e saj.

“Ndihma e vendeve partnere dhe institucioneve ndërkombëtare ka dhënë efekte pozitive dhe presim që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen”, tha kryeministri Hoti.

Ky bashkëbisedim vjen një ditë pasi delegacionit amerikan vizitoi vendin tonë i kryesur nga Emisari Special, Richard Grenell.

Të hënën e 28 shtatorit, kryeministri Hoti do të marrë pjesë në takimin e radhës të nivelit të lartë në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë.

/Reporteri.net/.

Digiqole ad

Të ngjashme