Digiqole ad

Gjykata e Apelit vendos për rastin ku 500 qytetarë janë mashtruar me viza pune gjermane

 Gjykata e Apelit vendos për rastin ku 500 qytetarë janë mashtruar me viza pune gjermane

Gjykata e Apelit ka marrë tre vendime të ndryshme lidhur me aktgjykimin e Gjykatës së Prizrenit për rastin për mashtrim, shpëlarje parash, shmangie nga tatimi, dhe falsifikim i dokumenteve.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale i ngarkonte të akuzuarit Flamur Hoxha e Besim Rexhaj se në vazhdimësi dhe bashkëkryerje kanë kryer veprën penale shpëlarje parash, atë të mashtrimit, si dhe në bashkëkryerje të kenë kryer veprën penale rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve.

Sipas aktakuzës, të dyshuarit kanë përvetësuar shumën prej 1 milion e 220 mijë e 175 euro dhe nga kjo kanë bërë shpëlarjen e parave në shumën prej 1,068,775.00 euro.

I akuzuari Flamur Hoxha akuzohej edhe për veprën penale të shmangies nga tatimi.

Ndërsa i akuzuari tjetër Veprim Rexhepi, sipas aktakuzës, ngarkohet se në vazhdimësi ka kryer veprën penale të falsifikimit të dokumenteve.

Gjykata e Prizrenit brenda 507 ditësh e kishte gjykuar rastin dhe më 9 janar ka dhënë aktgjykimin përfundimtar.

Gjykata e Prizrenit kishte shqiptuar 10 vite e gjysmë burgim për dy nga tre të akuzuarit për mashtrim të rreth 500 kosovarëve për viza pune në Gjermani.

Gjykata e Apelit 195 ditë më vonë, respektivisht Departamenti Special i kësaj Gjykate me trupin gjykues Burim Ademin kryetar dhe anëtarët Kreshnik Radoniqi dhe Ferit Osmanin, kanë vendosur lidhur me ankesat e avokatëve mbrojtës, duke vërtetuar një pjesë të dënimit, kurse për dy pika të akuzës ka kthyer rastin në rigjykim.

Për dy të akuzuarit Flamur Hoxha dhe Besim Rexhaj për veprën penale -shpëlarje parash për të cilën nga shkalla e parë ishin shpallur fajtorë, Gjykata e Apelit e ka anuluar këtë pikë dhe e ka kthyer rastin në rigjykim.

Gjithashtu në rigjykim Gjykata e Apelit e ka kthyer edhe pikën e aktakuzës për veprën penale shmangie nga tatimi, ku Flamur Hoxha ishte shpallur fajtor.

Kurse për veprën penale rastet e posaçme të falsifikimit të parasë, për të cilën dy të akuzuarit Flamur Hoxha dhe Besim Rexhaj ishin shpallur fajtorë dhe dënuar me gjobë në shumën nga 3 mijë euro, Gjykata e Apelit e ka refuzuar akuzën, dhe për këtë pikë të akuzës nuk do të zhvillohet më procedurë para Gjykatës.

Ndërsa për pikën dy të aktakuzës ku të akuzuarit Flamur Hoxha dhe Besim Rexhaj akuzohen për mashtrimin e rreth 500 qytetarëve, Gjykata e Apelit e ka vërtetuar vendimin e Gjykatës së shkallës së parë sipas të cilit dy të akuzuarit ishin shpallur fajtorë.

Gjykata e Prizrenit të akuzuarit Flamur Hoxha dhe Besim Rexhaj i kishte shpallur fajtorë për pikën dy të aktakuzës për veprën penale mashtrimi, ashtu që i akuzuari Flamur Hoxha ishte dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 2 vitesh dhe gjobë 3.000 euro, kurse i akuzuari Besim Rexhaj ishte dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 vit e 6 muaj dhe dënim me gjobë në shumën prej 2.000 euro.

Pos kësaj për këtë pikë të aktakuzës, pra për mashtrim, Gjykata e Prizrenit kishte shqiptuar edhe dënim plotësues, respektivisht urdhër për kompensimin e humbjes apo dëmit ndaj të dëmtuarve, ashtu që i akuzuari Flamur Hoxha duhet të bëjë kompensimin e 272 të dëmtuarve, ndërsa i akuzuari Besim Rexhaj duhet të bëjë kompensimin e 228 të dëmtuarve.

Kjo pikë e aktakuzës për veprën penale të mashtrimit, për të cilën dy të akuzuarit Flamur Hoxha dhe Besim Rexhaj janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar nga Gjykata e shkallës së parë, është vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit.

Në vendimin e Gjykatës së Apelit thuhet se për dy pikat e akuzës – shpëlarja e parasë dhe shmangie nga tatimi, të cilat janë anuluar dhe çështja është kthyer në rigjykim, kemi të bëjmë me shkelje esenciale pasi që nuk janë dhënë arsye të mjaftueshme lidhur me faktet vendimtare për veprën për të cilën janë shpallur fajtorë të akuzuarit, respektivisht i akuzuari Flamur Hoxha për veprën penale – shmangie nga tatimi.

Kurse për veprën penale shpëlarja e parasë, Gjykata e Apelit në arsyetim ka thënë se nga vendimi i shkallës së parë (Gjykatës Themelore Prizren), nuk kuptohet se sa është shuma e përfituar në mënyrë të kundërligjshme, dhe se si është kryer kjo vepër në bashkëveprim ndërmjet të akuzuarve Flamur Hoxha dhe Besim Rexhaj.

Andaj gjatë rigjykimit, Gjykata e Apelit e ka udhëzuar Gjykatën e shkallës së parë që të vërtetojë  shumën e saktë të përfitimit të kundërligjshëm, të vërtetojë shumën e shpëlarjes dhe të vërtetojë se si është kryer shpëlarja e parasë në mënyrë të saktë e jo të përgjithësuar, kurse gjatë rigjykimit duhet  gjithashtu të vërtetohet se kujt i janë transferuar paratë dhe në çfarë shuma, të vërtetohet koha e përftimit të aseteve të cilat i ka konfiskuar Gjykata e shkallës së parë (siç janë, banesa, vetura e garazhe) dhe vlerën e saktë të tyre.

Lidhur me pikën dy të aktgjykimit për veprën penale të mashtrimit, Gjykata e Apelit ka gjetur se Gjykata e Prizrenit ka pasur të drejtë kur ka vërtetuar gjendjen dhe i ka shpallur fajtorë të akuzuarit Flamur Hoxha dhe Besim Rexhaj, kjo pasi që pa mëdyshje vërtetohet se të akuzuarit nga qershori i vitit 2016, deri në gusht të vitit 2017, kanë mashtruat një numër të madh të të dëmtuarve – mbi 500 të dëmtuar, duke i vënë në lajthim se do t’i punësojnë në Gjermani dhe për këtë u kanë lëshuar kontrata të falsifikuara ndërsa të dëmtuarit kanë paguar 2.500 deri në 3.000 euro.

Kjo sipas Gjykatës së Apelit është vërtetuar nga deklarata e të dëmtuarve dhe prova tjera të paraqitura nga të dëmtuarit në Prokurori dhe të shikuara gjatë gjykimit.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar për gjykimin e rastit të shënjestruar për liberalizim vizash.

Digiqole ad

Të ngjashme