Mungojnë të pandehurit dhe dëshmitarët, dështon të mbahet seanca për vjedhje pylli në Suharekë

Të martën, në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Suharekë,  ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore, ku të akuzuar për vjedhje pylli janë Bashkim Aliaj dhe Besart Aliaj.

Seanca nuk u mbajt për shkak të mungesës së të akuzuarve si dhe dëshmitarëve, raporton “ Betimi për Drejtësi”.

Të pranishëm në seancë kanë qenë prokurori Shahadin Destani, përfaqësuesi i palës së dëmtuar avokati shtetëror Bedri Krasniqi si dhe dëshmitari Jemin Shala.

Gjyqtari i çështjes Lavdim Bajraktari, në mungesë të kushteve ligjore, ka shtyrë mbajtjen e kësaj seance dhe të njëjtën e ka caktuar për datë 4 nëntor 2020, në ora 9:30. I njëjti nga Policia e Kosovës ka kërkuar sjelljen me forcë të të akuzuarve, ndërsa me ftesë të ftohen dëshmitarët Jemin Shala, Halil Kadolli, Zafir Azizoviq, Xhavit Mala dhe Iljaz Nesho.

Ndryshe sipas aktakuzës së ngritur në këtë gjykatë, të akuzuarit Bashkim Aliaj dhe Besart Aliaj, akuzohen se më 29 gusht 2016, rreth orës 14:00, në fshatin Bukosh, Komuna e Suharekës, saktësisht në vendin e quajtur “Kroni i madh”,  të pandehurit në bashkëveprim dhe me dashje, me qëllim të vjedhjes, presin drunjët e llojit “Ahë” me vëllim të përgjithshëm 3.91 m3, me ç ‘rast të dëmtuarës Komunës së Suharekës- Drejtorisë për Planifikim, Zhvillim  Bujqësi dhe Pylltari i shkaktojnë dëm material.

Me këto veprime, të akuzuarit akuzohen se kanë kryer veprën penale “ vjedhje pylli ” nga neni 358 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi