Formacioni i mundshëm i Kosovës ndaj Maqedonisë së Veriut

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll, sot (e enjte) do ta zhvillojë një nga ndeshjet më mëdha në historinë e saj të shkurtër.

Djelmoshat e Bernard Challandes do të zbresin në stadiumin ‘Tose Proeski’ të Shkupit, ku përballë do ta kenë Maqedoninë e Veriut.

Të dy ekipet përfaqësuese kërkojnë një biletë për finalen e madhe të play-offit, ku fitorja në atë ndeshje vlen kualifikimin në “EURO 2020”.

Challandes në këtë ndeshje nuk do të ketë tetë futbollistë. Milot Rashica, Idriz Voca, Hekuran Kryeziu, Besar Halimi dhe Samir Ujkani mungojnë shkaku i lëndimeve.

Bernard Challandes, përzgjedhës i Kosovës (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Vedat Muriqi edhe pse tentoi të jetë gati, nuk ia arriti, pasi kishte vetëm pak ditë që ishte bashkuar me Lazion pas infektimit me COVID-19.

Amir Rrahmani ka një rast më specifik pasi që në skuadrën e tij kanë rezultuar dy lojtarë me COVID-19 dhe skuadra e tij është në karantinë. I fundit që mungon është Bernard Berisha.

Duke parë mungesat e shumta, Challandes do të futet në këtë ndeshje duke iu besuar atyre që kanë luajtur më shumë në ndeshjet e shkuara, ndërsa skema do të jetë 4-2-3-1.

Pamje nga stërvitja e fundit në ‘Tose Proeski’ (Foto: FFK)

Në portë konfirmohet Aro Muric, i cili kthehet në formacion, pasi në ndeshje me Greqinë ishte në bankën rezervë.

Mbrojtja do të jetë me katër, ku në krahë të djathtë pritet të luajë Mërgim Vojvoda. Në qendër do të vendosen dyshja Ibrahim Dresevic dhe Fidan Aliti, ndërsa në të majtë pritet të kthehet Benjamin Kololli.

Benjamin Kololli, pritet të kthehet në mbrojtje

Dy mesfushorët para mbrojtjes janë Herolind Shala dhe Valon Berisha.

Më të avancuar janë Florent Hadërgjonaj, Bersant Celina dhe Arbër Zeneli që do të tentojnë të furnizojnë me topa sulmuesin Atdhe Nuhiu.

Tani nevojiten golat e Zenelit

Sa i përket krahut të djathtë të sulmit ka balotazh mes Florent Hadërgjonaj dhe Edon Zhegrovës, me lojtarin e Kasimpasas që shihet më i avantazhuar për shkak të përvojës dhe balancave në fushë.

Kosova për këtë ndeshja ka gati 20 futbollistë.


Formacioni i mundshëm i Kosovës: Muric, Vojvoda, Aliti, Dresevic, Kololli, Shala, Berisha, Hadergjonaj, Celina, Zeneli, Nuhiu.Telegrafi