A duhet t’i vendosni maskat kur ecni vetë në rrugë? Sqarohet përfundimisht Ministria e Shëndetësisë

Ministria e Shëndetësisë po thotë se kur jemi të vetëm në veturë dhe në rrugë, nuk ka nevojë të bartim maskë.


Megjithatë, gjatë ecjes në rrugë duhet të mbajmë distancën me të tjerët. E në momentin kur mbajtja e distancës është e pamundur, duhet të vendoset maska.

Udhëzuesi “Përdorimi i maskave dhe mbulesave të fytyrës në komunitet”, i cili u publikua për të sqaruar se në cilat vende është e nevojshme vendosja e maskës, në fakt ka krijuar paqartësi rreth vendosjes së maskës, gjatë kohës kur ecim të vetëm në rrugë.

Në këtë udhëzues, askund nuk përmendet se vendosja e maskës gjatë kohës kur jemi duke ecur të vetëm në rrugë nuk është i nevojshëm.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ditë më parë tha se mbajtja e maskës gjatë kohës kur ecim vetëm në rrugë, është e panevojshme.

“Në instruksionet e fundit tashmë edhe kur je duke ecur vetëm në rrugë nuk ka nevojë ta kesh makën, e as në veturë, por në momentin që je me një tjetër konsiderohet grup dhe duhet ta kesh maskën”, ka deklaruar Qalaj.

Me deklaratat e Qalajt po pajtohet edhe Ministria e Shëndetësisë.

Në një përgjigje për Gazetën Express, MSH’ja ka thënë se këtë e shpjegon edhe Udhëzuesi.

“Z. Qalaj ka shpjeguar atë që e përmban edhe Udhëzuesi. Udhëzuesi është i publikuar edhe në ëeb faqe të MSH’së dhe nuk ka paqartësi në të”, thuhet në përgjigjen e MSH’së për Express.

MSH’ja ka deklaruar se gjatë kohës kur jemi të vetëm në veturë apo në rrugë, nuk ka nevojë për maskë.

Megjithatë, gjatë ecjes në rrugë duhet respektuar distanca fizike.

“Është e vërtetë se kur jeni vetëm në veturë apo vetëm rrugës nuk ka nevojë të bartet maska, por është e nënkuptueshme që në momentin që ju ofrohet dikush apo i ofroheni dikujt nën distancën e parashikuar maska duhet të vendoset si masë e përgjithshme mbrojtëse. Paqartësi ka vetëm për ata që duan t’i sfidojnë vendimet e Qeverisë, ndryshe çdo gjë është qartësuar me Udhëzuesin”, thuhet tutje në përgjigjen e MSH’së.

Edhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, javën që lamë pas ka deklaruar se maska duhet të vendoset në përputhje me Udhëzuesin e MSH’së.

“Udhëzuesi i cili është në fuqi “ Përdorimi i maskave dhe mbulesave të fytyrës në komunitet”, ka deklaruar Zemaj.

Megjithatë, në këtë Udhëzues nuk thuhet se maska mund të mos vendoset gjatë kohës kur jemi duke ecur të vetëm në rrugë.

Ndërkohë, vendosja e maskës është bërë e obligueshme nga data 13 korrik e këtij viti.

Me vendim të Qeverisë, të gjithë qytetarët e Kosovës, janë të obliguar që t’i vendosin maskat mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19.

Më 26 gusht ka hyrë në fuqi edhe Ligji për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.

Në bazë të këtij Ligji, qytetarët të cilët nuk vendosin maskën dënohen me 35 euro gjobë.

Ai person që është vendosur në izolim apo karantinë dhe tenton të largohet dënohet me gjobë 500 euro dhe rikthehet në izolim.

Kushdo që hyn në zonën karantinë të Republikës së Kosovës dhe nuk izolohet apo karantinohet, siç është përcaktuar me vendim të organit kompetent, dënohet me 500 euro gjobë.

Personi i cili vjen nga zona karantinë dhe nuk zbaton vendimin nga organi kompetent për izolim apo karantinim të detyrueshëm dënohet me gjobë prej 150 euro.

Si dhe personi që del nga izolimi apo zona e karantinës pa leje përkatëse dënohet me 150 euro.