Digiqole ad

Ka vazhduar gjykimi ndaj ish komandantit “Molla e Kuqe”- i akuzuar për krime lufte

 Ka vazhduar gjykimi ndaj ish komandantit “Molla e Kuqe”- i akuzuar për krime lufte

Prizren –  Të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prizren, ka vazhduar gjykimi ndaj ish-komandantit të UQK-së,  Remzi Shalës, i akuzuar për krime lufte.

Në këtë seancë e vazhdoi dhënin e dëshmisë së tij Agron Përteshi, i cili njëkohësisht është edhe palë e dëmtuar në këtë çështje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Blerim Mazreku se në natën kritike a keni arritur të identifikoni vetëm Remzi Shalën, ndërsa të tjerët jo, dëshmitari tha se “po është e vërtetë për shkak që atë e kam njohur edhe më herët”.

Po ashtu, dëshmitari deklaroi se Remzi Shala nga 3 qershori deri më 22 gusht 1998, kur është kallë fshati Duhël, ka shërbyer në fshatin e Grajqevcit.

Dëshmitari Agron, tutje deklaroi se babin e tij e ka kërkuar në Luzhnicë, ndërsa në shtabin e Grajqevcit ka qenë motra e tij për ta kërkuar, mirëpo që nuk kanë marrë ndonjë përgjigje.

“Po ashtu gjatë kësaj kohe unë kam vazhduar punën në istikame, sepse ajo punë ka qenë në interes të UQK-së dhe nuk kam besuar që babai im do të kthehet i vdekur dhe sa herë që kam shkuar në Grajqevc e kam takuar ‘Mollën e Kuqe’, por nuk kam mundur ta pyes për babain tim, sepse në atë kohë ka qenë e vështirë t’i kërkosh dikujt llogari sepse ka qenë në rrezik edhe vet jeta ime”, ka thënë ai tutje.

I akuzuari Remzi Shala e pyeti dëshmitarin Agron Përteshi se nëse babai i tij ka punuar si shumar para lufte, mirëpo Agroni deklaroi se babai i tij kurrë nuk ka punuar në administratën Serbe e as si shumar.

Në pyetjen e anëtarit të trupit gjykues, Fatmir Krasniqi se në momentin kur kanë ardhur në shtëpi me e marr babën, dikush prej familjes a ka pyetur ushtarët se a ka ndonjë urdhër, leje që po e merrni babanë tonë, dëshmitari u përgjigj duke thënë së në atë moment askush prej familjarëve nuk kanë folur asnjë fjalë, vetëm se sipas tij, ai i është drejtuar duke i thënë mos u bëni merak se e njoh personin që e ka marrë babanë dhe më premtoi se të nesërmen do ta kthejnë.

“Mënyrën se si është marrë babai im në oborr e kanë parë krejt familjarët se edhe ata kanë qenë jashtë, mirëpo jashtë oborrit kur ma kanë drejtuar armën në gjoks, nuk e ka parë askush nga familja dhe pasi jam kthyer në dhomë u kam treguar familjarëve se më kanë kthyer mbrapa duke më drejtuar armën”, deklaroi dëshmitari Agron.

Pas përfundimit të dëshmisë nga dëshmitari Agron Përteshi, kryetarja e trupit gjykues Raima Elezi njoftoi se  seanca e sotme ndërpritet, ndërsa e njëjta do të vazhdoi nesër nga ora 09:30, ku pritet që dëshmitë e tyre t’i japin Sejdi Përteshi dhe Xhemajli Elshani.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda më 8 korrik 2019, kishte marr aktgjykim me të cilin të akuzuarin Shala e kishte shpallur fajtor për veprën penale krime lufte kundër popullatës civile duke u dënuar me 14 vite burg.

Por Gjykata e Apelit e ka ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë, duke ia zbritur dënimin në 10 vjet burgim.

Kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatë Supreme kishte parashtruar mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Natal Bullakaj, ndërsa Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit kishte propozuar që kërkesa e mbrojtësit të të dënuarit të refuzohet si e pabazuar.

E Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës, në maj të këtij viti, e ka kthyer rastin në rivendosje.

Ish-komandanti i UÇK-së, i njohur si komandant “Molla e Kuqe”, akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), për vrasjen e një civili gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Shala akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës se gjatë kohës së luftës në Kosovë, më 26 qershor 1998, duke vepruar si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), së bashku edhe me disa pjesëtarë tjerë të paidentifikuar, kanë marrë nga shtëpia e tij, viktimën Haxhi Përteshi.

Sipas aktakuzës, Remzi Shala, i cili ishte i vetmi pa maskë në kokë, së bashku edhe me 5-6 pjesëtarë tjerë të UÇK-së, të maskuar, nën dyshimin se i ndjeri ishte bashkëpunëtorë i forcave serbe, kanë shkuar në fshatin Duhël dhe të njëjtin e kanë dërguar në një vend të panjohur.

Në aktakuzë thuhet se djali i viktimës, Agron Përteshi, i kishte parë ata të largoheshin, së bashku me babanë e tij, në drejtim të fshatit Grajqevc dhe pas disa dite trupi i pajetë i të ndjerit ishte gjetur në afërsi të rrugës, afër qendrës së fshatit Duhël. /BetimipërDrejtësi

Digiqole ad

Të ngjashme