Blogeri i njohur që besonte se COVID nuk ekziston, humb jetën pas infektimit nga virusi

Një influencues dhe trajner i fitnesit, i cili ishte shprehur se sipas tij “COVID-19 nuk ekzistonte” ka vdekur në moshën 33 vjeçare, pasi ishte infektuar me coronavirus gjatë një udhëtimi për në Turqi.

Dmitriy Stuzhuk ishte lëshuar nga spitali në Ukrainë (vendi i tij i lindjes), pasi ishte testuar pozitiv – por më pas ai u dërgua sërish me urgjencë pasi shëndeti i tij u përkeqësua me shpejtësi.

Për një milion ndjekësit e tij në rrjetin social Instagram, 33-vjeçari u duk shumë i aftë ndërsa promovonte sportet dhe jetën e shëndetshme, shkruan The Sun.

Por ish-gruaja e tij dhe nëna e tre fëmijëve të tij, Sofia Stuzhuk, 25 vjeçare, e cila njoftoi vdekjen e tij, tha se coronavirusi kishte shkaktuar komplikime në zemër.

Pasi u sëmur, ai u kishte publikuar fansave të tij një fotografi me mbishkrimin: “Unë dua të tregoj se si u sëmura dhe t’i paralajmëroj me forcë të gjithë”.

“Unë isha ai që mendova se COVID nuk ekziston, derisa u sëmura”, shtoi ai.

Influencueri vazhdoi të shpjegonte: “COVID-19 nuk është sëmundje e shkurtër! Dhe është i rëndë”.

Dmitriy u zgjua në Turqi me një qafë të fryrë dhe vështirësi në frymëmarrje, siç tha ai.

Kur ishte përsëri në Ukrainë, ai rezultoi pozitiv dhe u shtrua në spital.

“Spitali është i mbushur plotësisht me njerëz, disa prej tyre po trajtohen në korridore”, shkroi ai në një nga postimet e tij pas infektimit.

33-vjeçari tregoi se si i duhej një aparat oksigjeni për frymëmarrje.

Pas tetë ditësh ai u lejua të linte repartin e tij në vend që të qëndronte në spitalin e mbipopulluar të Kievit.

Por pas disa orësh ai u kthye me shpejtësi në spital ku Sofia tha se së shpejti ishte në një “gjendje të rëndë” dhe “pa ndjenja”.

Sofia – e cila ka pesë milionë ndjekës – publikoi një status gjatë kohës sa ish-bashkëshorti i saj po përballej me coronavirusin: “Dima (Dmitriy) kishte probleme me sistemin e tij kardiovaskular…zemra e tij nuk po e përballon”.

Ai pësoi një vdekje klinike por mjekët arritën që t’ia rikthenin zemrën në rrahje.

Ajo shkroi: “Shëndeti i tij është jashtëzakonisht i rëndë. Askush nuk mund të bëjë asgjë me këtë. Unë bëra gjithçka që munda në mënyrë që babai i tre fëmijëve të mi të jetonte. Por asgjë nuk varet nga unë tani”.

Pastaj Sofia me zemër të thyer njoftoi vdekjen e tij.

Ata u ndanë gjashtë muaj më parë pasi ajo u ankua për “tradhti të vazhdueshme, mallkim, përballje dhe stres”, por kohët e fundit thanë se ishin përsëri në marrëdhënie të mira.

Ajo shkroi pas vdekjes së ish-bashkëshortit: “Vetëm kujtimet e ngrohta kanë mbetur, tre fëmijë të bukur dhe përvojë e vlefshme. Zot, është kaq e tmerrshme të kuptosh se ai nuk është më me ne”. Telegrafi