Ministri Zemaj nuk e përjashton krejtësisht mbylljen në rast se rriten rastet me coronavirus

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, nuk e përjashton krejtësisht mbylljen në rast se rriten numrat e të infektuarve me COVID-19. Por, thotë se është opsioni i fundit megjithëse mbylljen totale nuk e sheh si zgjidhje.

Deklaron se të gjitha institucionet duhet t’i ndalin urgjentisht seminaret, punëtoritë dhe format tjera të organizimit ku ka grumbullim të njerëzve, pasi kjo paraqet rrezik për përhapjen e virusit.

“Mbyllja totale nuk është zgjidhje dhe se ajo mundet me qenë opsion i fundit. U kemi bërë thirrje të gjithëve që të respektojnë masat anti-Covid, por po e shohim që disa në gastronomi dhe administratë, nuk po i respektojnë masat anti-Covid. Prandaj, me qarkore, i kemi informuar të gjitha institucionet qendrore dhe lokale, Policinë e Kosovës, Inspektoratin Shëndetësor, Inspektoratin Sanitar dhe palët tjera që kanë pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në luftën kundër virusit Covid 19, të zbatojnë vendimet e reja në pajtim me situatën. Të gjitha institucionet qendrore dhe lokale, duhet t’i ndalin urgjentisht seminaret, punëtoritë dhe format tjera të organizimit ku ka grumbullim dhe rrezik për përhapjen e virusit, sikurse edhe veprimtaritë e ndryshme, të panevojshme. Rekomandohet të përdoren format online të takimeve, të punës dhe aktivitetet tjera”, ka deklaruar Zemaj për Express.

I pari i Shëndetësisë ka deklaruar se mosrespektimi i masave është një ndër shkaqet e rritjes së rasteve. Ka paralajmëruar se do të ketë dënime për gjithë ata që nuk respektojnë ligjin dhe masat anti-COVID.

“Secili institucion të ketë veprime në pajtim me ligjin dhe në ditët në vijim do të ketë raportim për aktivitetet e ndërmarra për të parandaluar një valë tjetër, e cila në rrethanat edhe të gripit sezonal dhe viruseve tjerë eventual, mund të shkaktojnë përkeqësim të situatës së pandemisë. Ritheksoj se do të ketë mbyllje të menjëhershme për të gjithë ato biznese që nuk i respektojnë masat e reja”, thotë Zemaj.Reporteri