Bilanci i fundit: 1 mijë e 485 raste aktive me Covid, 652 të vdekur, 14 mijë e 614 të shëruar

Janë bërë shtatë muaj prej kur në Kosovë janë paraqitur rastet e para me virusin COVID-19. Nga ajo kohë e deri më sot janë testuar gjithsej 79 mijë e 185 mostra të dyshimta, nga të cilat 16 mijë e 754 kanë rezultuar pozitive, raporton Express

16 mijë e 754 të infektuar, nga ta 14 mijë e 617 të shëruar e 652 të vdekur, dhe 1 mijë e 485 raste aktive, është bilanci i COVID-19 në Kosovë për shtatë muaj.  

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar të shtunën se në 24 orët e fundit janë testuar 1 mijë e 28 mostra, nga të cilat 148 kanë rezultuar pozitive, ndërkaq 56 persona janë shëruar.

“Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1028 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 148 raste pozitive. Brenda 24 orëve nuk është raportuar asnjë rast i vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv”, ka njoftuar IKSHPK.

“Numri total i rasteve pozitive është 16.754 raste nga 79.189 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 652 raste të vdekjes. Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 56 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 14.617 raste, kurse numri i rasteve aktive është 1.485”, thuhet në njoftimin e Institutit të Shëndetësisë.

Prishtina vazhdon të jetë komuna me më së shumti raste pozitive brenda ditës.

Në 24 orët e fundit u shënuan 66 raste të reja me koronavirus në kryeqytet.

“Rastet pozitive janë nga komuna Prishtinë 66 raste, komuna Gjilan 14 raste, komuna Mitrovicë 14 raste, komuna Fushë Kosovë 10 raste, komuna Deçan 6 raste, komuna Drenas 6 raste, komuna Pejë 6 raste, komuna Prizren 5 raste, komuna Vushtrri 5 raste, komuna Lipjan 4 raste, komuna Ferizaj 2 raste, komuna Shtime 2 raste, komuna Skenderaj 2 raste, komuna Viti 2 raste dhe me nga një rast komunat Kamenicë, Malishevë, Novobërdë dhe Podujevë”, thekson njoftimi. GazetaExpress